AUV ndalon aktivitetin e 11 fabrikave, identifikon 56 produkte me vaj palme
Gjatë kontrolleve nga maji deri në shtator, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë inspektoi 30 subjekte, tërhoqi nga tregu mbi 16 mijë kilogramë produkte dhe nisi një program të përhershëm monitorimi të sektorit të qumështit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar aktivitetin e 11 fabrikave ose linjave të prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij, siç njofton RTK-ja. Vendimi erdhi pas kontrolleve të realizuara nga maji deri në shtator të këtij viti, gjatë të cilave u konstatua se këto subjekte përpunonin ose paketonin produkte me përmbajtje të vajit të palmës pa autorizimet përkatëse.
Në përgjigjen e dhënë për RTK-në, AUV bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë inspektuar gjithsej 30 subjekte dhe janë identifikuar 56 produkte me përmbajtje të vajit të palmës. Si rezultat i kontrolleve, nga tregu janë tërhequr 16.457,81 kilogramë produkte, të cilat nuk i plotësonin kërkesat në fuqi.
Masat e ndërmarra nga agjencia përfshinë ndalimin e aktiviteteve të paautorizuara, tërheqjen e produkteve jokonforme nga tregu, ndërprerjen e certifikimit për eksport dhe inicimin e procedurave ligjore ndaj operatorëve që kanë shkelur kërkesat në fuqi.
Përtej këtij aksioni, AUV ka nisur një program të përhershëm survejimi dhe monitorimi të sektorit të qumështit, me kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike të përmuajshme për produktet vendore dhe ato të importuara. Analizat do të kryhen për vaj palme dhe yndyra të tjera bimore, qumësht pluhur, aflatoksina, mbetje antibiotikësh dhe siguri mikrobiologjike.
Mostrat për analiza do të merren në fabrika, pika grumbullimi, depo, pika importi dhe në rrjetin e shitjes me pakicë. Sipas AUV-së, programi synon identifikimin e hershëm të parregullsive dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke shtuar kontrollin mbi një nga sektorët më të ndjeshëm të industrisë ushqimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.