Avioni përplaset me helikopterin e ushtrisë pranë aeroportit të Uashingtonit “Ronald Reagan”
![](https://24-ore.com/wp-content/uploads/2025/01/IMG_8661.jpeg)
Administrata Federale e Aviacionit të Shteteve të Bashkuara (FAA) tha të mërkurën mbrëma se një avion rajonal i linjës PSA Airlines u përplas në ajër me një helikopter të ushtrisë amerikane (Black Hawk) Sikorsky H-60 ndërsa po afrohej në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit Reagan.
Një zyrtar i ushtrisë amerikane konfirmoi se një nga helikopterët e ushtrisë ishte përfshirë në incident.
Avioni ishte nisur nga qyteti Wichita, i Kensasit, sipas FAA-së. Sipas faqes së internetit të American Airlines, avioni ka një kapacitet deri në 65 pasagjerë.
Një burim nga kompania “American Airlines” i tha agjencisë së lajmeve Reuters se 60 persona pritej të ishin në bordin e avionit që u përplas.
Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se në helikopterin e ushtrisë gjendeshin tre ushtarë.
![](https://gdb.voanews.com/a2929a96-bd06-49f2-8e7b-2f8edb82bdc6_w408_r1_s.jpg)
Në një postim në mediat sociale, kompania “American Airlines” tha se ishte në dijeni të njoftimeve se një prej avionëve të saj ishte përfshirë në incident dhe se do të jepte më shumë hollësi sapo të ishte e mundur.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë njoftoi se Presidenti u informua mbi incidentin dhe se do të vazhdojë të mbikqyrë situatën.
Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.
Policia tha se agjenci të shumta janë përfshirë në një operacion kërkim- shpëtimi në lumin Potomak.
![](https://gdb.voanews.com/c4368d06-3b78-4331-9935-f7894f176891_w408_r1_s.jpg)
Më herët, shërbimi zjarrfikës i Uashingtonit njoftoi se një avion civil ka rënë në lumin Potomak pranë aeroportit kombëtar Ronald Reagan në Uashington të mërkurën vonë dhe se forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje.
Aeroporti njoftoi të mërkurën se ishin ndëprerë të gjitha fluturimet dhe se personeli i urgjencës iu përgjigj një aksidenti ajror.
*Ky është një lajm në zhvillim