Babicë, sekuestrohen 10 tonë drogë. Aksion masiv për personat e lidhur me Habilajt
Rreth orës 03.00 të mëngjesit të së enjtes ka mbërritur në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë droga e sekuestruar në fshatin Babicë e Vogël.
Me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, aksioni nisi rreth orës 22.00 të mërkurën në mbrëmje, kur rreth 100 efektivë policie të njësisë speciale nga Tirana, prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe efektivë të Delta Force, si dhe forcat antidrogë të Vlorës, zbarkuan në fshatin Babicë e Vogël, rreth 10 km larg qytetit.
Gjatë aksionit, forcat speciale bastisën një banesë 2-katëshe ku u gjet një sasi e madhe hashashi. Burime nga policia thonë se janë rreth 10 tonë kanabis sativa e paketuar, që ishte fshehur në bodrume. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë kanë qenë edhe persona të cilët janë shoqëruar në ambientet e komisariatit. Drejtoria e Policisë Vlorë nuk jep detaje se sa persona janë shoqëruar apo arrestuar.
Gjatë aksionit u ushtruan kontrolle në të paktën dhjetë banesa të ndryshme. Sipas burimeve, objektiv i kontrolleve dhe i operacionit kanë qenë persona të përmendur në dosjen “Habilaj”.
Gjatë mbrëmjes së të mërkurës, ish-kryeministri Sali Berisha postoi në faqen e tij në Facebook një video që, sipas tij, është xhiruar në një banesë në Babicë, ku janë kapur 10 tonët e drogës. Berisha ka postuar mesazhin e një qytetari që e njofton se “droga është gjetur në shtëpinë e Armand Koçerrit, mik i Habilajve”.