Arte

“Balkan Film Food Festival” në Pogradec, në konkurrim 35 filma nga Ballkani

Rreth 35 filma nga Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia janë në konkurrim në edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival” që hapi me 1 shtator siparin pese ditor në Pogradec.

Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani ka çelur edicionin e 11-të të “Balkan Film Food Festival”.

Përgjatë 5 ditëve (1-5 shtator), edicioni i 11-të i festivalit ballkanik të filmit do të sjellë produksione të ndryshme filmash shqiptarë dhe të huaj, që do të jenë në konkurrim.

Drejtori artistik i festivalit, Eno Milkani, tha se këtë vit festivali sjell në konkurrim rreth 35 filma nga vendet e Ballkanit. Ai theksoi se janë në program 4 filma artistikë me metrazh të gjatë.

“Filmi “Liqeni im” është xhiruar në Prespë, dhe në një farë mënyre është si një lloj premiere dhe për vetë Pogradecin. Kemi në program filmin “Shpia e Agës” nga Lendita Zeqiraj, që është bashkëproduksion mes Kosovës dhe Shqipërisë, pastaj një film rumun “Mia misses her revenge” prodhim i vitit 2020, si dhe një film prodhim maqedonas “The happiness effect” dhe ky i vitit 2020″, tha Milkani.

Fatos Baxhaku është një nga krijuesit e festivalit dhe ky është viti i dytë që “Balkan Film Food Festival” zhvillohet pa të.

Drejtori artistik, Eno Milkani thotë se Pogradeci është përzgjedhur prej tij për këtë festival. Të ftuarit nuk kanë munguar çdo vit në festival. Aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Mevlan Shanaj etj., do të jenë në ditët e festivalit.

Juria me anëtarë të huaj do të vlerësojë filmat që janë në konkurrim në këtë edicion. Në juri këtë vit janë Vincenzo Filippo, producent “Lupin Film Itali”, Eloise Verekeen aktore nga Franca dhe Marco Cicolini “Artinvita Festival Selector”, Itali.

Sa i takon pjesës së kulinarisë në festival, të ftuarit që janë turq, rumun, maqedonas, grekë do të kenë një turn në Lin, Volorekë, etj, për të provuar gatimet vendase.

Filmat e shkurtër dhe të studentëve

Në festival filmat me metrazh të shkurtër janë të ndarë në dy seksione. Seksioni i parë dhe i dytë, janë të ndarë në nënkategori, film student, film i shkurtër i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, film dokumentar dhe fiction dhe filma vizatimor.

Sipas drejtorit artistik, Eno Milkani, në këtë program marrim pjesë rreth 30 filma të shkurtër, që gjithashtu do të jenë në konkurrim.

“Balkan Film Food Festival” me drejtor artistik Eno Milkanin dhe drejtore ekzekutive Gerta Qurkun këtë vit sjell dhe shtatë filma, që janë bërë nga studentët e gazetarisë së Elbasanit dhe të Shkodrës vjet në bashkëpunim me USAID.

Në program janë dhe pesë filma të shkurtër fitues nga festivali i Strumicës, që u zhvillua para dy javësh dhe do të shfaqen në ditën e fundit në “Balkan Film Food Festival”.

Filmat do të shfaqen në Odeonin e qytetit dhe në kinema. Çmimet do të jenë si çdo vit, “Filmi artistik me metrazh të gjatë më i mirë”, “Filmi artistik më i mirë i shkurtër”, etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button