Të gjitha reagimet/ Kush ka të drejtë për mbylljen e “News 24”

Prej orëve të para të mëngjesit të shtunës televizioni i njohur informativ News 24 është i mbyllur. Ndërhyrja e forcave të shumta të policisë dhe më pas e policisë ushtarake e ka bërë të pamundur hyrjen e gazetarëve dhe stafit teknik në redaksi.
Pretendimi? Keni humbur gjyqet për qiranë e ambienteve dhe ato do t’i kalojnë ndërmarrjes së prodhimit të materialeve ushtarake, KAYO.
Avokatura e Shtetit në një deklaratë të gjatë deklaroi se kontrata për përdorimin e ambienteve në pronësi të shtetit nga News 24 ka përfunduar prej vitit 2022. Avokatura tha gjithashtu se me një VKM të firmosur më 12 mars të këtij viti, godinat ku deri më sot ka zhvilluar aktivitet Fokus Grup do i kalojnë shoqërisë KAYO, kompani shtetërore kjo e krijuar për prodhimin e armëve.
“Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore.
Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit” – thuhej në deklaratë.
Vetë kompania “Fokus Group Media” u shpreh se për këtë çështje nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykata dhe se ndërhyrja ishte e palajmëruar.
“Së pari, sqarojmë se ambientet që janë uzurpuar sot posedohen nga News24 dhe Panorama me titull dhe ky fakt është i ditur dhe për Avokaturën e Shtetit pasi ju është bërë i ditur në shumë raste, në cilësinë e përfaqësuesit të shtetit në gjykim.
Së dyti, Avokatura e Shtetit keq citon vendime gjyqësore duke pretenduar se gjykata ka vendosur lirimin e ambientit. KJO ËSHTË TËRËSISHT E PAVËRTETË! Ne sfidojmë avokaturën e shtetit të publikojë një vendim që urdhëron lirimin e ambienteve.
Së treti, Avokatura e Shtetit pretendon se nuk është ndërprerë aktiviteti mediatik, ndërkohë që FAKTI tregon ndryshe. Kayo, në bashkëpunim me Policinë dhe FSHU (OSHEE) kanë ndërprerë në mënyrë të dhunshme transmetimin e aktivitetit mediatik. Këto institucione kanë nxjerrë jashtë me dhunë të gjithë punonjësit dhe nuk lejojnë askënd të vijojë punën” – thuhej në deklaratën e “Fokus Media News”.
Kjo kompani nxori më pas edhe një tjetër kontratë sipas të cilës, për njërën nga godinat e bllokuara qiraja përfundonte në vitin 2033.
Këtij pretendimi i dha përgjigje Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sipas saj nuk ishte vendosur asnjë masë në këtë godinë.
“Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme” – thuhej në reagimin e MEKI.
Nuk vonoi kundërpërgjigjja nga News 24.
“KAYO sh.a” pretendon se ka marrë me VKM godinën ku ndodhet, News24, Balkanweb, PanoramaTV, Gazeten Panorama, Panorama Sport, Gazeta Shqiptare, por edhe pse kjo çështje është ende në proces gjyqësor, Ardi Veliu si administrator i KAYO, bashke me Policine e Shtetit, rrethuan edhe godinë e Panorama Group (e cila edhe sipas MEKI ka kontrate me vete dhe nuk është pjese e pronave qe i kane kaluar me VKM, KAYO-s), duke nxjerrë me forcë gazetarët dhe duke ndërprerë sinjalin e dy televizoneve” – thuhej në deklaratën e televizionit.
Reagimet e shoqatave të mediave
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë” kërkoi nga institucionet shtetërore të mos bllokojnë dhe aq më keq të ndërpresin punën e gazetarëve. Unioni shkruan në deklaratën e tij se është në alert për lirinë e medias dhe të ushtrimit të funksionit për gazetarët e këtij grupi mediatik.
Rrjeti “Safe Journalists Albania” i cilësoi këto veprime të tilla si te rrezikshme për lirinë dhe pavarësinë e medias.
Në reagimin e tij “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” bën thirrje për largimin e policisë dhe lejimin e gazetarëve dhe ekipit mediatik të vijojnë transmetimet si dhe te garantohet menjëherë liria e shprehjes dhe e ushtrimit të funksioneve të të gjithë gazetarëve të kësaj redaksie.
Asociacioni ka lajmëruar edhe një protestë ditën e hënë.
Për ngjarjen reagoi edhe organizata “Reporterët pa kufi” që shprehet se e dënon këtë pengim të së drejtës për të informuar, e cila duhet të marrë fund tani në mënyrë që transmetimi të mund të rifillojë.



