BANGLADESH – Të paktën 51 të vdekur pas përmbytjeve të menjëhershme
– Të paktën 51 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 1 milion njerëz janë prekur nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Bangladeshin ditët e fundit, raportoi BBC.
Mijëra banorë kanë mbetur pa shtëpi, pasi përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut kanë goditur zona të mëdha të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin, Daka.
Më shumë se gjysma e viktimave janë regjistruar në qarkun Cox’s Bazar, ku ndodhet një nga komunitetet më të mëdha të refugjatëve Rohingya në botë.
Javën e kaluar, në këtë zonë humbën jetën disa nxënës dhe një mësues, pasi ujërat e përmbytjeve përfshinë një shkollë.
Bangladeshi është një vend i ulët gjeografikisht, me shumë lumenj, dhe përballet shpesh me reshje të dendura dhe përmbytje gjatë sezonit vjetor të musoneve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike, kanë bërë që reshjet të jenë më intensive dhe më të shpeshta.
Reshjet e dendura nisën më shumë se një javë më parë dhe u intensifikuan ditët e fundit.
Autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dheu, evakuuan familje nga zonat me rrezik të lartë dhe shtynë provimet e nxënësve.
Mijëra persona aktualisht, po strehohen në qendrat e ngritura nga qeveria.
Sipas autoriteteve, deri ditën e djeshme, më shumë se 1 milion njerëz ishin prekur nga reshjet.
Ky qark, është shtëpia e më shumë se 1 milion refugjatëve Rohingya, të cilët përbëjnë vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë.
Në Daka, qarkullimi rrugor është ngadalësuar, ndërsa banorët raportojnë për rrugë të përmbytura dhe në disa zona niveli i ujit ka arritur deri në gjunjë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.