🌤️
Tiranë 15°C · Kryesisht kthjellët 05 Nëntor 2026
S&P 500 7,481 ▼2.7%
DOW 52,277 ▼2.02%
NASDAQ 24,752 ▼3.82%
NAFTA 90.34 ▲2.52%
ARI 4,113 ▲0.98%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
₿ CRYPTO
BTC $76,874 ▼ -4.59% ETH $2,280 ▼ -6.21% XRP $1.2555 ▼ -4.31% SOL $91.2000 ▼ -5.61%
S&P 500 7,481 ▼2.7 % DOW 52,277 ▼2.02 % NASDAQ 24,752 ▼3.82 % NAFTA 90.34 ▲2.52 % ARI 4,113 ▲0.98 % S&P 500 7,481 ▼2.7 % DOW 52,277 ▼2.02 % NASDAQ 24,752 ▼3.82 % NAFTA 90.34 ▲2.52 % ARI 4,113 ▲0.98 %
EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694 EUR/USD 1.1237 EUR/GBP 0.8341 EUR/CHF 0.9179 EUR/ALL 91.1860 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5878 EUR/TRY 56.2245 EUR/JPY 177.95 EUR/CAD 1.5694
05 Nën 2026
Breaking
Ekonomia

Bankat digjitale të Evropës synojnë një portofol digjital në çdo xhep

Për një bankë pa degë fizike, momenti më i kushtueshëm në marrëdhënien me klientin është kontakti i parë. Verifikimi në distancë i identitetit të një personi të panjohur, përmes skanimit të pasaportës, krahasimit të fotografisë selfie dhe verifikimit të adresës, është një nga fazat ku bankat digjitale humbasin kohë, para dhe klientë potencialë. Bashkimi Evropian beson se e ka gjetur zgjidhjen. Por zbatimi i saj po vonohet.

Sipas rregullores së rishikuar eIDAS, Rregullorja (BE) 2024/1183, çdo shtet anëtar duhet t’u ofrojë qytetarëve të paktën një portofol evropian të identitetit digjital pa pagesë deri më 24 dhjetor 2026. Një vit më vonë, bankat e mëdha, kompanitë e energjisë, transportit dhe telekomunikacionit, të cilave u kërkohet të zbatojnë verifikim të identitetit të klientit, do të jenë të detyruara ta pranojnë këtë portofol sa herë që klienti zgjedh ta përdorë si formë pagese.

Për bankat digjitale, potenciali është i konsiderueshëm. Një portofol që përmban të dhëna identiteti të verifikuara, njihet në të gjitha shtetet anëtare të pajisura edhe me nënshkrim elektronik me legjitimitet po aq sa nënshkrimi fizik, bë që procesi i regjistrimit të një klienti në Lisbonë të jetë po aq i thjeshtë sa i një klienti në Talin.

Aktualisht, bankat shpesh i përpunojnë manualisht kopjet e dokumenteve fizike të identifikimit për të përmbushur kërkesat e njohjes së klientit (Know Your Customer, KYC). Studiues kanë botuar një analizë në revistën Information Systems Journal e përshkruajnë këtë proces si “të kushtueshëm dhe të prirur ndaj gabimeve”. Rregullat kundër pastrimit të parave shtojnë një tjetër qasje. Rregullorja e Bashkimit Evropian për Parandalimin e Pastrimit të Parave, e cila do të zbatohet nga 10 korriku 2027, e njeh shprehimisht identifikimin elektronik, përfshirë portofolin digjital, si një instrument për verifikimin e klientëve.

Disa analistë argumentojnë se kjo e afron në praktikë afatin kohor për sektorin bankar, megjithëse detyrimi ligjor për pranimin e portofolit buron nga rregullorja eIDAS dhe hyn në fuqi në dhjetor 2027. Sidoqoftë, ekziston edhe një argument i fortë tregtar. Një anketim i konsumatorëve i realizuar në vitin 2026 nga IDnow, kompani e specializuar në verifikimin e identitetit, zbuloi se 46% e konsumatorëve evropianë kishin braktisur një transaksion për shkak se procesi i verifikimit të identitetit ishte tepër i vështirë ose kërkonte shumë kohë.

Një afat që shumica e vendeve nuk do ta përmbushin

E megjithatë, infrastruktura nuk është ende gati. Më 16 shtator, Euronews raportoi se vetëm tre shtete anëtare kishin vënë në dispozicion portofolet digjitale, ndërsa 24 vende pritej të mos e përmbushnin afatin e dhjetorit. Italia kryeson me pothuajse 8 milionë përdorues në muaj. Gjermania planifikon ta lançojë portofolin në janar 2027, ndërsa Holanda e ka shtyrë zbatimin deri në fund të vitit 2027, pasi një projekt pilot tërhoqi vetëm 57 përdorues.

Edhe vetë modeli i portofolit digjital vijon të jetë në qendër të diskutimeve. Një propozim i Komisionit Evropian për ta bërë të detyrueshme përfshirjen e imazhit biometrik të fytyrës në çdo portofol u kundërshtua këtë vit nga shtetet anëtare dhe organizatat e shoqërisë civile. Një kompromis i arritur më 18 qershor në Komitetin eIDAS lejon, por nuk i detyron qeveritë t’u japin qytetarëve mundësinë për të refuzuar përfshirjen e këtij elementi.

Organizatat që mbrojnë privatësinë deklaruan se zgjidhja nuk shkonte mjaftueshëm larg. Grupi austriak për të drejtat digjitale, Epicenter Works, deklaroi në qershor se nuk mund të rekomandonte përdorimin e portofolit pa u kryer më parë auditime të pavarura.

Romana Jerković, eurodeputetja kroate e cila drejtoi procesin e miratimit të eIDAS 2.0 në Parlamentin Evropian në cilësinë e raportueses, i dërgoi Komisionit një letër zyrtare lidhur me planin për të dhënat biometrike. Kur komisioni parlamentar mbështeti projektin në vitin 2023, ajo kishte premtuar një portofol që “i vendos qytetarët në kontroll të plotë të të dhënave të tyre”.

Jerković është larguar që atëherë nga Partia Socialdemokrate e Kroacisë. Ajo dha dorëheqjen më 8 tetor, pasi mediat kroate publikuan pretendime se kishte përdorur udhëtimet e financuara nga Bashkimi Evropian drejt Strasburgut për familjarë dhe miq. Ajo i mohon akuzat dhe vijon të jetë eurodeputete.

Bankat përballen edhe me një tjetër pengesë teknike. Akti zbatues i Komisionit Evropian, i datës 7 prill, për përcaktimin e standardeve të verifikimit të identitetit gjatë regjistrimit në distancë përmes portofolit, vëren se ekuivalenca e këtyre standardeve me nivelet e sigurisë të përcaktuara nga eIDAS ende nuk është vendosur. Kjo u lë huadhënësve përgjegjësinë të vlerësojnë nëse nevojiten kontrolle shtesë biometrike për të përmbushur kërkesat kundër pastrimit të parave.

Shqipëria po përafron kuadrin ligjor me standardet e BE-së

Jashtë Bashkimit Evropian, dinamika është e ndryshme dhe, në disa aspekte, më favorizuese. Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e shqyrtuar të negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. I fundit, ai për politikën e sipërmarrjes dhe industrisë, u mbyll më 13 tetor, në një konferencë ndërqeveritare për anëtarësimin, të zhvilluar gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.

Thomas Byrne, ministri irlandez i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, përshëndeti progresin dhe i bëri thirrje Tiranës të vijojë me vendosmëri reformat thelbësore. Qëndrimi i përbashkët i BE-së për këtë kapitull kërkon gjithashtu nga Shqipëria luftën kundër korrupsionit përmes shërbimeve publike të digjitalizuara, transparente, efikase dhe të përgjegjshme.

Në prag të anëtarësimit, Tirana po përafron kuadrin ligjor për identitetin digjital me standardet evropiane. Ligji nr. 51/2026 “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, në fuqi që prej 18 qershorit, përcakton portofolin digjital si një instrument për administrimin e dokumenteve, aksesin në shërbime dhe nënshkrimin elektronik. Ligji zgjeron gjithashtu kuadrin e shërbimeve të besuara dhe përafron legjislacionin shqiptar me eIDAS, me synimin për të mbështetur integrimin në sistemet evropiane.

Në këtë konditë operon tashmë Jet Bank, banka e parë plotësisht digjitale në Shqipëri. E licencuar nga Banka e Shqipërisë si institucion i ri bankar më 25 mars, banka lançoi aplikacionin e saj më 25 qershor, pas një procesi zhvillimi gjashtëmujor mbi platformën bankare të Backbase, në bashkëpunim me partnerë si Mastercard, Microsoft Azure dhe kompania e verifikimit të identitetit Jumio.

Interesi i publikut ishte i dukshëm edhe përpara lançimit. Sipas deklarimeve të vetë bankës në qershor, më shumë se 75 mijë persona u regjistruan në listën e pritjes brenda më pak se katër muajve. Në momentin e lançimit, banka, në pronësi të kompanisë Jet Holding me seli në Amsterdam, deklaroi se synon të ndërthurë nevojat e tregut vendas me standardet evropiane të sektorit bankar.

Drejtoresha ekzekutive e bankës, Fatbardha Rino, deklaroi në qershor se Jet Bank kishte zgjedhur Shqipërinë sepse “besojmë në potencialin e vendit, te njerëzit, sipërmarrësit dhe e ardhmja e saj”.

Ekonomia shqiptare, historikisht e mbështetur në përdorimin e parasë fizike, përbën një pjesë të rëndësishme të këtij potenciali. Ndërkohë, zhvillime të ngjashme po ndodhin edhe në vende të tjera të rajonit. Në Moldavinë fqinje, gjithashtu vend kandidat për anëtarësim në BE, dy banka janë bërë institucionet e para që kanë integruar portofolin qeveritar EVO, duke u mundësuar klientëve verifikimin e identitetit përmes skanimit të një kodi QR.

Kufijtë e përafrimit me standardet evropiane

Megjithatë, sfidat mbeten. Deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, portofolet digjitale dhe institucionet financiare shqiptare mbeten jashtë regjimit të njohjes së ndërsjellë të eIDAS. Kjo do të thotë se verifikimi i identitetit të klientëve nga vendet e BE-së dhe regjistrimi i tyre në distancë nuk do të mundësohen automatikisht përmes sistemeve shqiptare.

Andreas Schieder, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, deklaroi në qershor se vendi synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe të anëtarësohet në vitin 2030. Përparimi në grupkapitullin e çështjeve themelore, ku përfshihet edhe shteti i së drejtës, përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave. Një tjetër kufizim lidhet me madhësinë e tregut. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), Shqipëria kishte rreth 2.3 milionë banorë në fillim të vitit 2026. Për rrjedhojë, zgjerimi i një banke që operon vetëm në mënyrë digjitale përtej tregut vendas do të varej edhe nga e njëjta infrastrukturë e identitetit digjital që shtetet e BE-së ende po përpiqen të ndërtojnë.

Identiteti është vetëm gjysma e infrastrukturës

Gjysma tjetër e kësaj infrastrukture lidhet me sistemet e pagesave. Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri më 31 dhjetor, e ka vendosur arritjen e një marrëveshjeje në negociatat trepalëshe për euron digjitale ndër prioritetet e saj, megjithëse deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ishte njoftuar ende një marrëveshje.

Tánaiste dhe ministri i Financave i Irlandës, Simon Harris, deklaroi në qershor se euroja digjitale do të “garantojë aksesin në paranë e bankës qendrore në një ekonomi gjithnjë e më digjitale”.

Logjika për bankat digjitale është e thjeshtë, sa më i lehtë të bëhet verifikimi digjital i identitetit të klientëve në të gjithë Evropën, aq më të mëdha bëhen mundësitë për zgjerimin e aktivitetit të tyre përtej kufijve kombëtarë. Por, me shumicën e shteteve anëtare që pritet të mos përmbushin afatin për vendosjen e portofoleve digjitale dhe Shqipërinë ende jashtë kuadrit të eIDAS, realizimi i këtij potenciali mbetet i kushtëzuar nga aftësia e qeverive për të vënë në funksion sisteme identiteti digjital që mund të përdoren nga bankat, si brenda Bashkimit Evropian, ashtu edhe përtej kufijve të tij.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.