Banorët kundër fshatit të Krishtlindjeve në Pedion tou Areos: pesë muaj në vit pushon së qeni park
Denoncime për stola të hequr, kabllo të ekspozuara dhe rreziqe sigurie nga instalimi festiv i Rajonit të Atikës, me rrotën gjigante në hyrjen qendrore
Instalimi i madh festiv që po ngrihet nga Rajoni i Atikës në Pedion tou Areos për «Fshatin e Krishtlindjeve» të këtij viti ka shkaktuar reagime të forta të banorëve dhe kolektiviteteve, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Ajo që komentohet më shumë këtë vit është vendosja e një rrote gjigante panoramike në hyrjen qendrore, përballë statujës së Konstandinit.
Banorët e zonës, duke folur për Orange Press Agency, denoncojnë komercializimin e hapësirës publike të gjelbër, zgjerimin arbitrar të ndërtimeve tregtare dhe rreziqe serioze për sigurinë e vizitorëve. Shoqata «Athina – Pedion Areos» i ka dërguar administratës së Rajonit të Atikës një letër të detajuar me 12 pika, duke paralajmëruar për kushte të rrezikshme mbipopullimi — pasi, siç theksojnë, kalimi i majtë i shpëtimit është ngushtuar nga gjeneratorë të mëdhenj — dhe duke kërkuar studim për kapacitetin e sigurt, porta të hapura e të ndriçuara, korridore të lira për ambulanca dhe zjarrfikëse, si dhe ndalim të rreptë të instalimeve mbi lëndina dhe partere.
Thodoris Kokkinakis, nga kolektiviteti «Ne, Pedion tou Areos», flet për «gjigantizim të aktiviteteve që bën Rajoni brenda parkut» dhe për «pushtim të parkut nga biznese private dhe sponsorë të ndryshëm, të cilëve u jepet dorë e lirë të bëjnë në park çfarë të duan».
Sipas tij, rrota dhe «qindra shtëpizat» që po ngrihen janë «shenja dalluese e arbitraritetit», pasi vendosen thjesht «për të bërë tregti».
«I gjithë problemi është se zoti Hardalias e konsideron Pedion tou Areos pronë të tij, ndërsa ai është administratori dhe pronarët jemi ne, qytetarët», shton ai, duke vënë në dukje se prej katër vjetësh, pavarësisht vendimit të Këshillit të Shtetit, nuk është hartuar një studim administrimi për parkun që të përcaktojë çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet.
«Parku është një hapësirë e lirë, publike, e gjelbër, vend pushimi dhe qetësie, larg zhurmës së Athinës. Vende për aktivitete, ekspozita, koncerte dhe shfaqje teatrale në Athinë ka shumë. Parqe ka pak dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit», thotë ai.
Siç shpjegon, pas ekspozitës së Krishtlindjeve pritet një ekspozitë e Onassit, që do të zgjasë rreth një muaj e gjysmë, dhe më pas ekspozita e librit: «Nëse i mbledhim të gjitha në kohë, e humbasim Pedion tou Areos për rreth pesë muaj. Pushon së qeni park pesë muaj në vit, për t’u bërë vend aktivitetesh dhe panaireve tregtare».
Ai shton se pas pandemisë parku ka tashmë vizitueshmëri të lartë dhe nuk ka nevojë për veprime tregtare për të pasur njerëz apo siguri, duke kujtuar se të dyja herët që mori flakë, parku ishte i mbyllur për qytetarët.
Një banore e zonës, që jeton pranë parkut që nga viti 1979, u shpreh e indinjuar për pamjen që pa gjatë shëtitjes së saj të përditshme, duke denoncuar se stolat e vizitorëve janë hequr sërish për t’u bërë vend shtëpizave, ndërsa përshkroi edhe kabllo të ekspozuara në tokë, përmes të cilave kalonin vizitorët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.