Kosova

Baraliu: Kushtetuta ka prodhuar kriza, ajo po shkelet nga të gjithë

Kushtetuta e vendit vazhdon të shkelet nga qytetarët e veriut dhe nga institucionet e Kosovës, që nga hyrja e saj në fuqi. Liderët politikë vazhdojnë ta shkelin atë sa herë që kanë ndonjë interes të veçantë politik.

Kështu pohojnë njohës së çështjeve kushtetuese në 8-vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se ky dokument është një akt i imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, i cili nuk ka qenë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e Kosovës.

Sipas Baraliut, kjo kushtetutë më shumë ka prodhuar probleme, kriza dhe efekte negative se sa pozitive.

Baraliu madje thotë se kjo kushtetutë në asnjë dimension, nuk është dëshmuar se është instrument dhe mekanizëm i duhur dhe si e tillë ka vazhduar të shkelet çdo ditë, jo vetëm nga personat fizik, por dhe nga institucionet e vendit.

“Ka qenë një projekt i porositur dhe i imponuar në masë të konsiderueshme. Një projekt politik, i shndërruar në një akt kushtetues, që nuk ka qenë në përputhje me kërkesat nevojat dhe specifikat e Kosovës, çfarëdo të duhej të kishte Kosova në momentin e pikërishëm, atëherë dhe më vonë, sepse kushtetutat nuk bëhen çdo ditë, nuk janë respektuar ato kërkesa, pra, është një akti i imponuar nga bashkësia ndërkombëtare. Marrë në tërësi kjo kushtetutë edhe pse e proklamuar në mënyrë pompoze, si më demokratikja, si më e mira, si produkt dhe kontribut i institucioneve vendore dhe eksperteve vendor, gjë që nuk ka qenë e saktë në tërësinë e saj. Të huajt e kanë imponuar, më shumë ka prodhuar probleme efekte negative shkelje se sa shtytje pozitive dhe ndihmesë në zhvillimin e proceseve politike, në radhë të parë të shtet formimit, të shtet ndërtimit. Si e tillë është shkelur dhe është shkelur jo vetëm nga personat fizikë, por dhe nga institucionet në segmente të caktuara”, tha Baraliu.

Edhe Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se Kushtetuta vazhdon të mos respektohet në veriun e vendit. Por jo vetëm kaq.

Ai thotë se ajo vazhdon të shkelet dhe nga vet liderët politik.

“Shkeljet e Kushtetutës që bëhen nga vet institucionet politike në Kosovë. Rasti i fundit i Asociacionit të komunave serbe, është evidenca më e mirë se si liderët politik në Kosovë, trajtojnë Kushtetutën dhe se si këta lider politik frymëzohen për shkeljen e saj, vetëm në bazë të nevojës së arritjes së një marrëveshje politike me Serbinë. Ekziston një kulturë e vazhdueshme e institucioneve politike në Kosovë, që të shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe ta harrojnë që ajo ekziston, në momente kur këta të fundit kanë ndonjë interes të veçantë politik dhe kur këta të fundit janë të shtytur nga nevoja për të arritur marrëveshje ndërkombëtare, sidomos me rastin e Serbisë. Pra, në Kosovë, në mënyrë që të ndërtojmë një kulturë të respektimit të Kushtetutës, kemi nevojë që liderët politik së paku të kuptojnë që Kushtetuta është një dokument, i cili jo vetëm që rregullon autorizimin e tyre, por është dokument i cili duhet t’i frymëzoj ata se si të sillen, se si të menaxhojnë me institucionet në Kosovë”, tha Doli.

Ai thotë se veriu i Kosovës është shembull se si Kushtetuta e vendit, zbatohet vetëm në ato raste, kur ekziston një vullnet për të respektuar atë.

“Natyrisht veriu i Kosovës është njëri nga shembujt me të mëdhenj se si Kushtetuta e Kosovës është e zbatueshme vetëm në ato raste, kur ekziston një vullnet i brendshëm i institucioneve apo personave përgj egjës, për të respektuar atë. Nuk ekziston një kulturë e përhershme e respektimit të kushtetutës së Kosovës. Dhe kjo kulturë e përgjithshme, ka qenë dhe ka përcjellë Kosovën, që nga koha kur Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi”, theksoi Doli.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani Ahtisarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button