Ekonomia

Basha, FMN-së: Qeveria do të marrë nën kontroll bankën

Takimi/ Kryetari i PD-së akuzon qeverinë se po e përdor vjedhjen e bankës për kapital politik

Kritika – Basha tha se ekonomia është në rënie, rritje kanë vetëm borxhet, ndërsa investimet rezultojnë 200 milionë dollarë më pak sesa 2013-a

Takimi_i_Kryetarit_Basha_me_delegacionin_e_FMN-se_1Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kritikon qeverinë për situatën ekonomike dhe e akuzon se kërkon të vërë nën kontroll Bankën e Shqipërisë. Këtë qëndrim Basha e shfaqi në një takim me përfaqësuesit e FMN-së. Duke trajtuar çështjen e vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë, Basha theksoi se opozita nuk e ka përdorur këtë për kapital politik, pasi interesi i saj madhor është interesi i shqiptarëve dhe stabiliteti i Bankës Qendrore. Por, ajo që shqetëson opozitën shqiptare është fakti që është qeveria që po e përdor rastin për përfitime politike, dhe për të vënë nën kontroll politikën monetare në vend, për të vënë nën kontroll sistemin bankar. “Natyrisht nuk kemi rendur ta kapitalizojmë politikisht dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë; sepse besojmë, jemi të bindur se në qoftë se përmes kapitalizimit politik rrënojmë besueshmërinë e politikës monetare shqiptare, rrënojmë besueshmërinë e sistemit bankar shqiptar, s’mbetet më asnjë tullë mbi të cilën të ngrihet godina e sigurisë ekonomike për sot dhe për nesër”, tha Basha pas takimit me ndërkombëtarët. Siç e keni parë, vazhdoi Basha, kjo nuk e ka frenuar qeverinë që ta kthejë këtë në një lojë për përfitim politik, me qëllimin e vetëm, kapjen e Bankës së Shqipërisë dhe vënien e saj nën kontroll politik. “Do të thotë vënien nën kontroll politik të politikës monetare shqiptare, të politikës bankare shqiptare nga një mazhorancë e papërgjegjshme. E ndava me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, se kjo do të ishte një tragjedi e përmasave të papara e të padëgjuara dhe që do të shkaktonte një shkatërrim të shpejtë dhe final të çdo sigurie bankare tek investitorët shqiptarë, te ekonomia shqiptare”, deklaroi Basha. Ndërkaq, Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike për përkeqësimin e parametrave të ekonomisë shqiptare, për gjendjen e rëndë ekonomike të çdo familjeje e çdo qytetari dhe për mungesën e transparencës mbi këtë realitet. “Është një gjendje e dëshpëruar, parametrat e së cilës shihen qartë edhe nga shifrat e publikuara prej qeverisë, por që ndihen në tavolinën e çdo familjeje shqiptare, në xhepat e çdo shqiptari dhe në pasigurinë e madhe që ka kapluar çdo qytetar, që nga të papunët, perspektiva e të cilëve për të siguruar një vend pune është më e zbehtë se kurrë, te të punësuarit që kanë pasiguri për të sotmen dhe të nesërmen, tek investitorët, të cilët janë nën presionin e vazhdueshëm të një retorike fashiste, e cila ka ndjellë frikë dhe panik në çdo sektor të ekonomisë”, tha ai. Sipas Bashës, ky është realiteti dhe transparenca e këtij realiteti është shumë e rëndësishme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button