Politika

Basha i përgjigjet ftesës së Ramës: Nuk lëvizim nga Kushtetuta, gati të zbllokojmë KLP-në

Disa minuta pas ftesës së rradhës ardhur nga Kryeministri Edi Rama, është përgjigjur lideri i demokratëve Lulzim Basha, i cili edhe kësaj here, nuk ka lëvizur nga pozicioni i më parshëm.

Kryetari i PD-së kërkon zbatimin e plotë të Kushtetutës, duke i kujtuar Edi Ramës se në fakt reforma në drejtësi për të cilën flet kreu i qeverisë, është vetë Kushtetuta e re shqiptare, e miratuar me 140 vota verën e vitit të kaluar.

Basha shton se sipas Kushtetutës Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një organ ende i prakrijuar dhe që për liderin e opozitës do duhej të ishte zhbllokuar tashmë. Basha refuzon bashkëpunimin politik me Ramën, por nga ana tjetër shprehet se është i gatshëm që së bashku me maxhorancën të zhbllokojnë KLP-në për t’i hapur kështu rrugën frymës kushtetuese dhe zbatimit të saj pikë për pikë.

Nga ana tjetër Basha thumbon kreun e qeverisë, duke i thënë se një Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, ashtu siç kërkon maxhoranca nuk mund të zgjidhet pasi socialistët nuk kanë vënë si kusht që personi që do të mbajë këtë post, të ketë kaluar më parë sitën e vettingut. Madje Basha përdor një frazeologji të ngjashme me atë që përdori këtë të martë ambasadori Donald Lu, kur tha se në Shqipëri duhet të marrë fund epoka ku Prokurorët mbrojnë politikanët e korruptuar.

STATUSI:

Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë.

Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta.

Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake.

Ne mbeshtesim pa asnjë rezervë procesin e vetingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin. Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button