Basha: Korrupsioni nuk nisi nga radhët, por nga koka politike e policisë
Për Lulzim Bashën, ky 105-vjetor e gjen Policinë e Shtetit në momentin më tragjik të saj dhe të tradhtuar.
Basha është ndalur dhe tek vetting-u që pritet të nisë në Policinë e Shtetit: “Korrupsioni dhe lidhja e tij me krimin nuk nisi nga radhët e policisë, por nga koka politike e policisë. Nisi nga Saimir Tahiri dhe Haki Çako, kjo është tashmë katërcipërisht e provuar. Saimir Tahiri dhe Haki Çako janë dy hallka të sistemit kriminal që drejtohet nga Edi Rama dhe ku Fatmir Xhafaj ka lidhje dhe rolin e tij të padiskutueshëm. Pra, vetting-u nga Fatmir Xhafa, apo Edi Rama, apo kjo shumicë e bërë njësh me krimin, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Policia do të pastrohet kur qeverisja të pastrohet nga politikanët e lidhur me krimin”.
Këto deklarata, Lulzim Basha i bëri pas vizitës në shtëpinë e ish-policit Artan Cuku në Tiranë, vrarë gati një vit më parë për shkak të detyrës.
Ndërkohë, akuzat për kapjen e drejtuesve të policisë dhe politikës nga krimi ishin kryefjala e takimit që Basha zhvilloi në Vlorë, në përgatitjet për protestën e 27 janarit.
“Habilajt, Sajmir Tahirin, Haki Çakon, Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn dhe Edi Ramën dhe disa të tjerë, i lidh kodi i heshtjes. Shumë shpejt, falë ndihmës së partnerëve, do të dëgjoni se si shqetësimit se mos Sajmir Tahiri na shet një ditë, një nga Habilajt i përgjigjet “nuk ka si na shet, se përndryshe, e shesim ne”. Kështu janë të lidhur këta me njëri-tjetrin. Mos fol për mua, që mos të flas për ty”, tha Basha.