Basha: Mazhoranca kërkon të ndërtojë prokurori private nëpërmjet Fatmir Xhafës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar dje ne parlament, reagim qytetar për t’u bashkuar dhe ngritur zërin, pasi sipas tij, krimi është sofistikuar dhe i lidhur me pushtetin, ndërsa shqiptarët janë varfëruar.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, kryetari i PD-së, Basha, tha se krimi është fuqizuar dhe evoluar dhe mijëra ton drogë gjenden në tunele dhe magazina e shkojnë drejt vendeve të Europës. “Çdo javë në Europë kapen tonelata lëndë narkotike, por evoluimi më i madh i krimit është kapja e ekonomisë. Riciklimi dhe pastrimi i parave është aktiviteti kryesore i grupeve kriminale. Forma e krimit nuk është më një band, por krimi lidhet me pushtetin”, tha Basha.
Më tej, ai theksoi se “Saimir Tahiri u lidh me krimin dhe i dha tendera krimit. Nuk është rastësi se familjarët e pushtetarëve, befas kanë pasion bankat. Dhe nëse kjo vazhdon me të vertete, nuk keni parë asgjë. Edhe projekti 1 miliard është një projekt i lidhur me krimin. Krimi është pasuruar dhe shqiptarët janë varfëruar”.
Basha shtoi se kapja e drejtësisë ka qenë synim kryesor i mazhorancës dhe opozita reagoi që drejtësia të mos binte në dorë të Saimir Tahirit dhe fakt për këtë ishte Byroja e Hetimit. “Mazhoranca kërkon të ndërtojë prokurorinë e saj private nëpërmjet Fatmir Xhafës. “Krimin mund ta luftojë një polici e depolitizuar dhe një gjykatë e ndershme. Që të sulmohet krimi duhet që politika të pastrohet nga politikanet e lidhur me krimin. Largimi i krimit nga pushteti do te realizohet vetëm kur të largohet kjo qeveri”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Basha theksoi se “Sot është koha të ngremë zërin, që të sillemi si shoqëri europiane. Ndaj, nuk duhet të heshtim, ndaj duhet të bëhemi bashkë qe ky pushtet të marrë fund”.