Basha në Klos: Me 1.2 miliardë dollarë të vjedhura, shqiptarët do të kishin 6 vjet energji elektrike falas
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me banorë të Klosit dhe me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Sipas njoftimit të PD-së, banorët e Klosit e kanë njohur kryetarin Basha me shqetësimet e tyre, ku ndër më kryesoret ishte papunësia dhe arroganca e qeverisë. Banorët theksuan se e kanë të pamundur të riparojnë edhe shtëpitë e tyre, se i çojnë në burg, ndërsa qeveritarët vjedhin miliona lekë nga taksat e tyre dhe nuk u ndodh asgjë.
Bilanci i kësaj qeverie, tha zoti Basha, është zero, asnjë investim dhe asnjë premtim të mbajtur në 3 vjet. Kanë vjedhur 1.2 miliardë dollarë me të cilat për 6 vjet qytetarët do ta kishin energjinë falas.
“Edi Rama rri dy orë në ditë në televizor ndërkohë që produktin e ka zero. Zero për punësimin, zero për shëndetësinë falas, zero për legalizimin. 1.2 miliardë dollarë të zhdukura në një vit të vetëm. 1 miliardë e 200 milionë janë baras me 900 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi. 1 miliardë e 200 milionë janë baras me 6 vjet fatura nacionale e energjisë elektrike e mbledhur së bashku e të gjithë shqiptarëve. Pra, është njësoj sikur shqiptarët 6 vjet të mos paguanin energjinë, por ta kishin falas nga shteti”, tha kreu i PD-së.
Në takimin me të rinjtë, zoti Basha është njohur me shqetësimin e tyre për tarifat e larta të arsimit, të cilat po ua pamundësojnë vazhdimin e studimeve të larta. Përveç kostos së arsimit studentët thanë se në Tiranë kanë dhe kosto shtesë të jetesës që sa vijnë e rriten.