Basha në Lezhë: Rama presion drejtësisë; Tregues, kthimi i pasaportës për Tahirin
Kthimi i pasaportës në dorën e Saimir Tahirit lexohet nga Lulzim Basha si efekt i parë i presionit të mazhorancës mbi drejtësinë, pas zgjedhjes së Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku.
Lulzim Basha tha se skandali i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm që opozita e akuzon për trafik ndërkombëtar droge, ka vulosur dhe fatin e Edi Ramës.
“Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo”, u shpreh kreu demokrat.
Në pamjet që PD shpërndau për mediat nga takimi i Lezhës, Basha thotë se qëllimi i protestave është krijimi i qeverisë antimafia që garanton reformën zgjedhore dhe një zgjedhje të lira e të ndershme.