Politika

Basha nga Berati: Njerëzit duan punë e shpresë jo investime që mbushin xhepat e qeveritarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar nga Berati se asgjë dhe askush nuk mund t’a ndalë vrullin e fitores së 21 qershorit, pasi ajo është fitorja e çdo qytetari që kërkon punë dhe dinjitet.

Entuziazmin, shpresa dhe zëri i fitores ndjehet kudo, tha Basha, pasi sot të majtë e të djathtë po vuajnë nga keqqeverisja e dyshes Rama – Meta.

“Rritën taksat, i frynë dhe i shumëfishuan faturat e energjisë, rritën çmimin e naftës, nxorrën kërbaçin dhe morën kacidhen e fundit nga xhepi i të pamundurve, miliona, miliona euro i falën apo i ndanë me CEZ –in, plot 6 milionë të tillë. Rritën çmimin e energjisë, por sot për faqen e tyre të zezë u mungojnë 130 milionë dollarë, 130 milionë euro, 150 milionë dollarë në arkën e shtetit. Ku janë paratë që i morët shqiptarëve? Ku janë paratë e Beratit, ku janë paratë e familjeve tuaja? A mos vallë hapën kantiere pune? Jo, edhe ato që gjetën i kanë në vend-ndalje apo ecin me ritmin e breshkës. A mos vallë e bënë shëndetësinë falas siç premtuan? Jo, e kanë zhytur Shqipërinë në skandalin më të pashembullt të korrupsionit në shëndetësi, kjo tregon pashpirtësinë dhe fytyrën e vërtetë të atyre që premtuan shëndetësinë falas por vodhën edhe fondet e diabetikëve dhe pacientëve të tjerë me sëmundje të rënda. A mos vallë e lanë borxhin që s’ju ndahej nga goja kur ishin në opozitë ? Jo, e shtuan me 700 milionë dollarë në dy vite, 240 dollarë për frymë më shumë borxhe morën këta. Po ku janë paratë e shqiptarëve? Ku janë paratë tuaja? Ku janë paratë tona? Në kazinotë e pushtetit, në vilat me pishina të oligarkëve, në sarajet e tyre nga Surreli në Qeparo. Nuk u ngopën duke vënë taksa të larta e duke abuzuar me to, ndaj sot nuk kanë asnjë fjalë për të thënë para jush për varfërinë që mbollën kudo, për mjerimin që 5-fishuan, për mijëra kryefamiljarë, dhjetëra-mijëra kryefamiljarë që nxorrën në mes të katër rrugëve sepse me taksat e larta, me çmimet e larta falimentuan me mijëra biznese të vogla, detyruan bizneset e mëdha që të nxjerrin njerëzit nga puna në vend që të punësojnë, shpunësuan masivisht shqiptarët. Ndërsa vetë shëtisin si turistë kryeqyteteve të Europës, në atë Europë i kanë degdisur bashkëatdhetarët tanë si refugjatë”, theksoi Basha.

Varfëria, papunësia, pamundësia janë hallet që kemi prekur, diskutuar dhe qarë bashkë për dy vite tha zoti Basha duke sjellë në vëmendje bashkëbisedimet me qytetarë që nuk siguronin dot bukën e fëmijëve e që kanë arritur deri aty sa të shesin dhe gjakun e trupit për të mbajtur fëmijët. Rama-Meta janë të frikësuar tha Basha, pasi ora e gjykimit dhe e llogaridhënies po vjen. Dita e votës është dita kur gjykatësi suprem është populli dhe vendimi i tij është i formës së prerë dhe askush nuk ka fuqinë ta diskutojë.

“Erdhën këtu dje dhe nuk foli asnjë fjalë për varfërinë, asnjë fjalë për papunësinë, asnjë zgjidhje për ju. Akoma kam në mendje zotërinë që më tha në takimin e fundit në Berat mua dhe gjithë shqiptarëve, më tha që:“Për atë Zot nuk kam bukë në shtëpi!” Kam ndërmend zonjën nga Korça që u këput me 300 lekë në mes të pazarit dhe nuk kishte para për t’i blerë bukë fëmijëve. Kam në mendje zonjën që më tha nga Rrogozhina që shes gjakun për të paguar faturat e energjisë. Shqipërinë e mjerimit, Shqipërinë e skamjes, Shqipërinë e varfërisë këta e përfillin, këta nuk duan ta shohin, nuk duan ta dëgjojnë por kjo është Shqipëria e halleve të shumëfishuara prej arrogancës së tyre, është Shqipëria e problemeve të dhjetëfishuara prej padrejtësisë së tyre është Shqipëria e mjerimit të pesëfishuar, e papunësisë që rritet e rritet, e greminës në të cilën bien fatet e familjeve të djathta dhe të majta teksa oligarkia hedh valle në kështjellat tona, me taksat tona.
Erdhi këtu, erdhën këtu këta sharlatanë dhe mori në gojë një qytet të tërë, folën e shanë sa deshën opozitën dhe kandidatin tonë, kryetarin e ardhshëm të bashkisë Kasem Mahmutaj, a thua se i penguam ne të hapnin 300 mijë vende pune? A thua që i penguam ne që të ulnin çmimin e enegjisë siç e premtuan? A thua se i penguam ne që të mos e rrisnim çmimin e naftës? I kanë bërë gabim hesapet, kanë harruar se në demokraci, demokraci do të thotë sundim i popullit, se populli vendos dhe sundon me votë dhe se dita e votës po vjen. Do të përballeni me gjykimin e Beratit ju që mashtruat pa pikë turpi se do të hapni vende pune por i mbyllët ato. Do të përballeni me gjykimin e Beratit e opozitarëve, të djathtëve e socialistëve të ndershëm ju që bëni pazar me këtë qytet dhe keni shitur çdo drejtori, e keni kthyer çdo drejtor në mitmarrës korruptiv”, u shpreh Basha.

Ndërsa qytetarët e Beratit dhe gjithë Shqipërisë janë zhytur në mjerim dhe marrin borxh për bukën e gojës, kryeministri tha Basha po investon miliona euro në projekte lluksi me fatura të majme korruptive.

“Edi Rama do të bëjë ishull. O piktor njerëzit duan punë, duan bukë, duan të ardhme, duan shpresë! Mbaje ishullin për vete se në ishull ke dy vjet që jeton, se po të mos jetoje në ishull do të dëgjoje zërin e njerëzve këtu që rënkojnë nga varfëria që është rritur se u ke rritur taksat, se po të mos jetoje në ishull do të bëjë diçka në vend që të grindeshe nga mëngjesi deri në darkë dhe të shaje e të merrje nëpër gojë opozitën, do të punoje për të krijuar vende pune siç premtove. Jeton në ishull nuk ke nevojë për ishull tjetër, e dinë socialistët e Beratit se në çfarë ishulli jeton ti që pasi i shite çdo drejtori organizatës kriminale që quhet LSI do të shesësh edhe Bashkinë”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button