Basha pret Schulz: Nuk pati dekriminalizim, por kriminalizim të pushtetit vendor
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka pritur paraditen e së martës në një takim presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, me të cilin ka diskutuar mbi aktualitetin politik në vend.
Duke folur pas takimit, Basha e ka vënë theksin tek procesi i dekriminalizimit, për të cilin u ra dakord me ndërmjetësimin e PE dhe nuk nisi zbatimin për shkak të mungesës së vullnetit të mazhorancës.
“Për fat të keq marrëveshja për dekriminalizimin nuk ka funksionuar për shkak të mungesës së vullnetit nga dyshja Rama-Meta, ndaj nuk pati dekriminalizim, por kriminalizim të pushtetit vendor. Me presidentin Schulz diskutuam edhe për korrupsionin, krimin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Unë e sigurova zotin Schulz se opozita dhe unë jemi të vendosur të ecim përpara me dekriminalizimin. Nuk mund të ketë të ardhme evropiane, kur kemi kryetarë bashkish dhe deputetë me rekorde kriminale”, ka deklaruar Basha.
Kryetari i PD ka bërë me dije se ka kërkuar nga zoti Schulz që PE të këthejë vëmendjen ndaj Shqipërisë, për të kthyer standarded zgjedhore, që sipas tij u shkelën rëndë më 21 qershor.
“Gjithashtu, janë 150 milionë dollarë që u mungojnë doganave dhe kanë përfunduar në xhepat e oligarkisë dhe klientelës së qeveritarëve. Këto janë një këmbanë alarmi që tregojnë se sa thellë në korrupsion është zhytur Shqipëria. Ndaj kam kërkuar ndihmën e presidentit Schulz dhe jam i bindur që së bashku do t’ia dalim”, ka shtuar Basha.