Basha: Qytetarët në mjerim, Rama-Meta s’kanë alternativë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me banorë të Belshit, Cërrikut dhe Bradasheshit në Elbasan. Banorët e njohën zotin Basha me shqetësimet e tyre, që nga rënia e fuqisë blerëse, rritja e çmimit të energjisë e deri tek pamundësia për të blerë ilaçet.
“Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj se do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për faturat e kamatë-vonesat, qytetarët t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë dhe mallrat kryesore. Të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, apo bukën, kur tjetri s’ka lekë të japë për bukën?!”, tha Basha.
“Kjo zgjidhet me votë dhe në 21 qershor ju keni mundësinë që këtë të keqe ta ndalni me votën tuaj. Por nga ana tjetër, duke votuar për Partinë Demokratike ju bëni një zgjedhje për platformën tonë të uljes së çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave për të gjithë banorët e Dumresë”, vijoi kreu i PD.