Basha: Rama kërkon vetëm të përfitojë nga pushteti
Lulzim Basha, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ditën e mërkurë, deklaroi se “kontrabanda e duhanit dhe e naftës ka patur dhe ka bekimin e Edi Ramës”, i cili, sipas kreut të opozitës, “ka në plan vetëm të shtojë përfitimet nga pushteti”.
“Kontrabanda e duhanit dhe e naftës është zgjedhje, vepër dhe përfitim i tij. E njëjta gjë për evazionin në tatime dhe për tenderat me fitues të paracaktuar. Rama është magazina e 400 milionë dollarëve që mungojnë në gropën e mbledhjes së të ardhurave”, theksoi Basha.
Kryetari i PD-së nënvizoi se “roli i opozitës, në rrethanat e sotme, është vendimtar, bashkë me median e lirë dhe qytetarët në protestë”.
“Akuzat e opozitës po vërtetohen dhe pranohen nën presionin e qytetarëve dhe mediave. Po rritet vetëdija në spektrin shoqëror për domosdoshmërinë e largimit të Ramës dhe bandës së 40 hajdutëve nga drejtimi i qeverisë. Ky kryeministër dhe kjo qeveri ka në plan vetëm të shtojë përfitimet nga pushteti”, tha Basha.