Politika

Basha: Rama sulmon gjyqtarin që dje liroi babain e Tahirit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të enjte se, presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para çdokujt se kush janë urdhëruesit e “megaskandalit të përgjimit”.

“Fillimisht Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë, kur liroi babain e Tahirit. Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin të përdorin këtë gjuhë të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi degjuar as Ramën e as Tahirin t’i quajnë vrasës me pagesë Shullazin, Habilajt apo Balilin. Tani janë hedhur përpjetë sikur i ka pickuar gjarpri. Janë hedhur përpjetë jo për drejtësi, por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre që po bie me yrysh në llucën e megaskandalit të përgjimeve”, ka deklaruar Basha.

Ai është shprehur se, “këtij krimi shtetëror, Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë”.

“Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë te tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe pergjegjësitë e tyre në megaskandalin e përgjimit. Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD-së dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat. Kanë nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla në brez për të shantazhuar gjykatësit e për të sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë”, ka thënë Basha.

Ai u ka bërë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve që po hetojnë këtë “megaaferë” se duhet ta dinë që kanë në dorë fatin e një demokracie të tërë.

“Duhet ta dinë se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracisë dhe agimi i tiranisë së shtetit mafioz. Ata kanë mbështetjen e çdo shqiptari të ndershëm dhe duhet ta çojnë deri në fund këtë hetim, të bëjnë transparencë, të vendosin ligjin”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe të pandikuar të “krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cënimit të sigurisë kombëtare”. “Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin”, ka shtuar Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button