Ekonomia

Basha: Synimi kryesor, brenda 4 viteve turizmi të ketë një rritje nga 8 në 10%

Kreu i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë me sipërmarrës të agjencive turistike ku shpalosi programin për turizmin.

Në fjalën e tij, Basha tha se objektivat e programit janë realiste, të zbatueshme dhe që stabilizojnë krizën e thellë në të cilën është zhytur turizmi shqiptar si pasojë e politikave të gabuara dhe goditjeve të njëpasnjëshme që ka marrë prej tyre.

“Disa prej tyre janë reforma që prekin të gjithë ekonominë, siç është taksa e sheshtë 9%, siç është ulja e çmimit të karburantit, siç është reduktimi masiv i burokracisë, i lejeve, i autorizimeve, i kërkesave që kërkon për çdo sektor që aksesohet nga shteti, duke përfshirë dhe sektorin e turizmit. Siç është çështja e çmimit të karburantit por dhe angazhime të tjera që kanë të bëjnë me të gjithë ekonominë. Një pjesë është e fokusuar te turizmi për të theksuar natyrën e turizmit si prioritet kombëtar brenda planit tonë të zhvillimit ekonomik”, tha Basha.

Duke u ndalur te pikat e programit, Basha theksoi se “synimi është që të ketë një rritje prej 15% çdo vit dhe një rritje prej të paktën 2% nga 8 në 10 e sektorit të turizmit në vetvete ku natyrisht nuk përfshihet sektori i agjencive të udhëtimeve ku bashkë me të volumin në ekonomi është më shumë se dyfish”.

“Në një situatë ku ne jo vetëm duhet ta mbajmë stabël punësimin, por na  duhet ta rrisim punësimin për të parandaluar apo për të frenuar një tjetër plagë kombëtare që është  emigracioni masiv, në veçanti i krahut të të kualifikuar të punës dhe i rinisë shqiptare.  Ndaj edhe prioriteti kryesor në program është ekonomia punësimi dhe këtu hyn edhe turizmi si një nga  degët me potencialin më të madh për   të ndihmuar në arritjen e këtij objektivi, hapjen e  110 mijë vendeve të punës, thithjen e investimeve, krijimin e një klime të përshtatshme të biznesit që do t’i paraprijë kësaj dhe rritjen e të ardhurave individuale dhe familjare të shqiptarëve”, tha ai.

Ai shprehu bindjen se “me planin tonë ne do t’ia dalim jo vetëm të shërojmë  këto plagë të shkaktuara nga  8 vjet braktisje dhe lënie në baltë, plus keqmenaxhimin e pandemisë, por do t’ia dalim që gjithsecili prej jush të realizojë potencialin tuaj të plotë”.

Basha iu shpjegoi sipërmarrësve edhe unifikimin e TVSH-së 6 përqind për të gjithë operatorët turistikë.

“Në programin tonë 6% unifikohet TVSH-ja për të gjithë operatorët turistikë, për të gjithë operatorët turistikë për të gjithë zinxhirin, për të gjitha këto. Dhe një nga masat që prek gjithë ekonominë por dhe ju në veçanti është inspektoriatet. Inspektoriatet do të kenë një moratorium 12 mujor deri në një reformim sipas modelit Europian. Që do të thotë 12 muaj nuk do të ushtrojnë absolutisht asnjë nga sjelljet, pranitë terrorizuese me biznesin dhe pas kësaj me modelin europian që do t’i reformojmë këto inspektoriate, ajo që duhet të prisni ju është një rezultat i ngjashëm më  atë që ndodh në Europë”, tha Basha.

Për zgjatjen e sezonit të turizmit, Basha tha se  “një nga hapat kryesorë që duhet ndërmarrë është padiskutim kualifikimi i forcës punëtore”.

“Kemi vendosur kontaktet dhe jemi gati të institucionalizojmë bashkëpunimin me institucione Europiane të trajnimit në fushën e turizmit me traditë mbi 100-vjeçare. Në të dyja format edhe me pranimet e tyre fizike në Shqipëri  edhe në formatin online dhe kjo do të mundësojë që një trekëndësh bashkëpunimi mes qeverisjes si përfaqësuese i interesit publik, promovuese e interesit publik dhe vendimmarrëse politike midis jush sipërmarrjes, në këtë rast sipërmarrjes turistike dhe përmes botës akademike si pika e tretë e këtij trekëndëshi ne të dalim nga kjo situatë paradoksale ku nga njëra anë na duhet krah i kualifikuar pune që nga bazë, që nga kuzhinier, ndihmës kuzhinier, kamarier e gjithçka tjetër deri tek nivelet e larta të menaxhimit dhe nga ana tjetër rinisë nuk i jepet mundësia as të trajnohet dhe as të punësohet në vendin e vet që është një nga vendet më të bukura në botë dhe që e do shumë e detyrohet të largohet të shkojë në vendet e huaja ku pastaj shkëlqen në këto fusha ku mund të shkëlqente në vendin e vet. Ne kemi kaq shumë dhe nuk e vëmë në funksion, në funksion të kujt? Në funksion të punësimit. Nëse këto potenciale të jashtëzakonshme natyrore që rrethojnë Durrësin, kulturore, trashëgimisë kulturore një qytet 3 mijë vjeçar, e shumë e shumë të tjera vihen në funksion bëhen pjesë e turizmit si një lokomotivë që tërheq një zinxhirë të tërë zhvillimi, atëherë Shqipërisë nuk i mungon absolutisht asgjë që të arrijë të njëjtën përqindje të turizmit si punësues, si punëdhënës si vendet e tjera të rajonit dhe me të njëjtat paga”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button