Politika

Basha, takime në Uashington: E papranueshme prania e krimit në politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takime me kongresmenë dhe zyrtarë të lartë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si zbatimi i dekriminalizimit, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe reforma në drejtësi janë në qendër të axhendës së liderit të opozitës.
Fillimisht zoti Basha u prit në Uashington nga drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut, ku iu përgjigj interesit të zv.presidentëve të këtij këshilli, Damon Wilson dhe Fran Burwell, mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri e rajon.
Në fjalën e tij, Basha e konsideroi të papreçedent për një vend demokratik dhe aq më tepër anëtar të NATO-s, që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, “të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge dhe plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit”, tha Basha.
Kreu i PD tha se, sot në Shqipëri ka një përballje jo mes socialistëve dhe demokratëve, por mes shumicës dërrmuese të qytetarëve nga njëra anë dhe një grushti oligarkësh, “të cilët kanë futur në duart e tyre pasuritë publike, paratë e qytetarëve dhe janë të vetmit përfitues të tenderave dhe konçesioneve”, deklaroi Basha.
“Shqipëria dhe shqiptarët janë sot para një sfide të madhe: të largojnë të inkriminuarit nga politikëbërja dhe administrata, të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të rikthejnë shpresën në vend. Këto sfida nuk janë të lehta, pasi ky grup oligarkësh që kontrollon pasuritë e Shqipërisë do të kërkojë me çdo kusht të deformojë vullnetin e zgjedhësve, siç bëri në 2015-n, duke blerë vota dhe kërcënuar votuesit”, tha Basha.
Ai vlerësoi se, një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është  implementimi i ligjit të dekriminalizimit dhe më pas reforma në drejtësi.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë ndanë mendimin se Këshilli i Atlantikut duhet të jetë i pranishëm në Shqipëri për të parë nga afër problematikën dhe për të ndihmuar në formulimin e zgjidhjeve të qarta dhe afatgjata që garantojnë siguri.
Më pas, Basha u prit në Kongresin amerikan nga bashkëkryetari i Komitetit për Europën, Eliot Engel, anëtari i Komitetit për Punët e Jashtme, Gregory W. Meeks dhe anëtari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Gus Billiraki.
Në fokus të takimit ishin të njëjtat tema, me kryetarin e PD që nënvizoi se, ndihma e SHBA-ve është jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndërsa zyrtarët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre për objektivat e opozitës dhe arritjen e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button