Politika

Basha: U përdorën paratë e buxhetit për të blerë vota

Edhe në mbledhjen e kësaj jave të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryefjala ishin zgjedhjet e 21 Qershorit dhe Lulzim Basha u ndal edhe njëherë tjetër tek parregullsitë, që sipas opozitës, vendosën rezultatin.

“Ka qenë tronditëse e vërteta që kanë dëgjuar vëzhguesit e huaj, sa nuk kanë pritur dy muaj për t’i vënë damkën e krimit elektoral në raportin e tyre përfundimtar. Mafiet e dyshes Rama-Meta nuk kanë mbetur pa u dokumentuar, qoftë me presionet për blerje vote, ashtu edhe rrëmbimin e kartave të identitetit, presionit nëpër shkolla dhe pranë qendrave të votimit. Hajdutët dhe zuzarët e zgjedhjeve të 21 qershorit u kanë ofruar një model të rinjve; vidh se kështu nuk ndëshkohesh”, tha Basha.

Kreu i PD-së akuzoi mazhorancën se ka përdorur në fushatë për blerjen e votës para nga buxheti i shtetit.

“Siç dihet, nga doganat kanë rënë në pikiatë të ardhurat, të cilat nuk dihet se ku shkojnë. Ato para u përdorën në fushatë për të blerë votat”, u shpreh Basha.

Për opozitën, kjo situata ka vënë në lëvizje Qeverinë, e cila po përgatit dërgimin në Kuvend të një projektligji për ndryshimin e buxhetit.

“Nëse vjen ky projektligj, grupi ynë parlamentar do të kundërshtojë me të gjithë forcën miratimin e tij. Do të bëjmë gjithçka të mundur, duke pasur në krah edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, BE dhe SHBA, prej të cilëve kemi marrë garancitë më të forta për mbrojtjen e demokracisë, për standardet më të larta zgjedhore dhe për të luftuar të gjitha shkeljet e qeverisë”, paralajmëroi Basha.

Pavarësisht gjithë këtyre faktorëve, që sipas Bashës, sollën rezultatin e 21 Qershorit, Partia Demokratike do t’i nënshtrohet një analizë.

“Po, ne do të marrim parasysh edhe rezultatin e zgjedhjeve, por askush të mos mendojë se duke parë brenda vetes do të harrojmë të shohim përtej vetes. Pushteti i vjedhur apo i blerë nuk ka të ardhme”, deklaroi kreu i PD.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button