Bashkë me Belerin ka humbur dhe SPAK-u dhe opozita
Nga Mero Baze
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka gjykuar arrestimin dhe paraburgimin e Fredi Belerit dhe ka vendosur se arrestimi është i ligjshëm dhe i bazuar në prova, kurse paraburgimi i tejzgjatur është i pamotivuar.
Vlerësimi i Gjykatës së Strasburgut i jep fund një fushate të gjatë mbi trevjeçare spekulimesh rreth arrestimit të tij, e cila shkaktoi një krizë të gjatë në raportet shqiptaro-greke dhe përfundoi me heroizimin e një figure mediokre të pakicës greke në Shqipëri, e cila as nuk e përfaqëson atë dhe as e nderon, por thjesht i imponohet përmes heroizimit të një gjesti ordiner, siç është blerja e votave.
I gjithë ky proces pati më shumë histori politike sesa juridike. Por tani, kur kemi një gjykim më të ftohtë dhe më profesional për të, është koha që të gjykojmë çfarë drejtësie të re kemi bërë dhe çfarë roli ka politika në presionin ndaj drejtësisë.
Së pari, Strasburgu ka pranuar si të ligjshme atë që ka bërë prokurori i Vlorës dhe ka gjetur të paligjshme atë që ka bërë SPAK-u dhe GJKKO-ja.
Më 12 maj 2023, prokurori i Vlorës Aurel Zarka doli publikisht dhe njoftoi arrestimin e Fredi Belerit, në kuadër të operacionit “Matrix”. Ai deklaroi se procedimi penal nr. 489 ishte regjistruar më 8 maj dhe se hetimet kishin siguruar prova për blerje votash. Kjo për Strasburgun është në rregull.
Pas arrestimit dhe përfundimit të procesit zgjedhor, kërkesa e Belerit në korrik 2023 për të dalë nga paraburgimi nuk është pranuar nga prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO-ja e më pas nga i gjithë sistemi i drejtësisë së re. Kjo është quajtur e paligjshme.
Opozita e Sali Berishës që i doli zot arrestimit të Belerit, ka dënuar arrestimin si të paligjshëm, ndërkohë që ai ka qenë i ligjshëm, ndërsa paraburgimi, i cili është një gangrenë e gjithë drejtësisë së re, edhe këtu rezulton që është i paligjshëm.
Deri tani çdo masë e SPAK-ut që ka shkuar në Strasburg për paraburgimin është humbur. Pas Thoma Gëllcit, edhe Belerit i konsiderohet teprim paraburgimi, ndërkohë që ka mbaruar mundësia e tij për të ndikuar në zgjedhje, pasi ato janë kryer.
Kështu që bashkë me Belerin betejën e ka humbur dhe SPAK-u dhe opozita. Beleri ka humbur arsyen për të cilën futi në luftë Shqipërinë me Greqinë, pasi iu legjitimua që është arrestim i ligjshëm për vjedhje votash. SPAK-u ka humbur betejën me paraburgimin, pasi iu provua për të disatën herë që është një vendim i tepruar, ndërsa opozitës iu provua se e gjithë beteja për Belerin ka qenë politike për të mbrojtur një krim zgjedhor, ndërkohë që në anën tjetër ankohet se asaj i vjedhin votat. Deri tani Partia Demokratike është e vetmja parti që një eksponent i saj i lartë në zgjedhje është kapur duke blerë vota, dhe ky është Fredi Beleri.
Akoma më e shëmtuar ishte ajo që ndodhi si revansh i ndikimit grek në SPAK për të marrë hakun e Belerit. Prokurori i preferuar i Athinës në SPAK, Olsi Dado, arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka për një çështje për të cilën ai kreu një vit e ca burg, lidhur me dosjen Toyota Yaris, që vetë SPAK-u e ka shpallur sekret, pasi aty janë përzier disa prokurorë të SPAK-ut dhe gjyqtarë të GJKKO-së. Kur të deklasifikohet, do të kuptohet se SPAK-u, më shumë se institucion drejtësie, është një institucion shantazhi edhe për prokurorët e vet.
Aurel Zarka u arrestua në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e Belerit. Pas tij u regjistrua çështje penale për Olta Xhaçkën për një histori komplet të sajuar rreth një investimi të burrit të saj në Himarë, vetëm se ajo ishte ministre e Jashtme në kohën e arrestimit.
Një fat edhe më i keq iu rezervua rivalit të Fredi Belerit, Jorgo Goro, i cili ishte shpallur ndërkohë non grata nga Greqia. I njëjti prokuror e arrestoi atë për një çështje për të cilën mund të arrestosh çdo kryetar bashkie apo ish-komune në Shqipëri, që ka të bëjë me konfirmimin formal të një tapie toke të bazuar te ligji 701, e cila është detyrë formale e kryetarit të bashkisë, por detyrë funksionale e nëpunësve të bashkisë. Goros iu përsërit dënimi për një çështje tjetër të ngjashme për t’i dhënë të kuptojë se ishte një viktimë e një fushate hakmarrëse ndaj një ndëshkimi të Belerit.
Tani që çështja u sqarua nga një gjykatë shumë më kompetente, bilanci i gjithë sagës së Belerit në Shqipëri është drejtësia e re për represion me paraburgime, opozita e cila politizon një krim për vjedhje votash që dëmton më shumë opozitën se qeverinë dhe rasti i Olsi Dados, i cili vepron si një shtet brenda shtetit brenda SPAK-ut për të marrë hak për Belerin në emër të luftës së shenjtë të tij.
Kjo është ndihma më e madhe që na jep rasti i Belerit në këtë rast. Të kuptojmë se ç’drejtësi kemi bërë, çfarë opozite kemi dhe kush na e komandon drejtësinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.