Bashkia e Lushnjes, me sistem “online” taksash
Bashkia e Lushnjes bëhet e para në vend, që ka një zyrë të sistemit elektronik të taksave. Hapja e saj është mundësuar nga USAID.
Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, dhe përfaqësuesi i USAID/Albania në Shqipëri, Marcus Johnson, promovuan sistemin e ri të kompjuterizuar të financave dhe tatimeve.
Sistemi i ri do të përmirësojë administrimin fiskal dhe financiar, ndërsa sistemi i taksave pritet të rrisë eficencën në administrimin e mbledhjes së taksave si edhe do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve.
Deri tani, drejtorive të Financë-Buxhetit dhe Drejtorisë së Tatimeve u është dashur që punën ta kryejnë manualisht. Sistemi i ri do të ulë ndjeshëm kohën që u nevojitet këtyre drejtorive për të kryer të gjitha detyrat. Me sistemin e ri kompjuterik, Drejtoria e Taksave do ta ketë më të lehtë për të llogaritur faturat dhe pagesën e taksave, si edhe do të gjenerojë projeksione dhe analiza të të ardhurave, që u nevojiten planifikuesve dhe drejtuesve të Bashkisë.
Kompjuterizimi i taksave do të ndihmojë gjithashtu në rritjen e mbledhjes së taksave dhe rritjen e të ardhurave për Bashkinë e Lushnjes.
Portali i ri në internet, përveçse ka zëvendësuar faqen e vjetër të ueb-it, përmban mjete që do të ndihmojnë në rritjen e informimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Lushnjes.
Projekti i planifikimit dhe qeverisjes vendore të USAID-it në Shqipëri, PLGP, po punon për forcimin e qeverisjes vendore dhe në implementimin e decentralizimit të legjislacionit, duke i mundësuar asistencë teknike dhe trajnime qeverisë shqiptare edhe institucioneve të qeverisjes vendore.