BE i tregon kufijtë Boris Johnsonit
Pas fillimit të mandatit të qeverisë së re britanike, frontet midis Londrës dhe Brukselit mbeten të ngurta. Sidoqoftë, Bashkimi Evropian nuk dëshiron të afrohet me të vërtetë me kryeministrin Johnson për Brexit-in.
Presidenti në detyrë i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeministrit të ri britanik Boris Johnson, për të rinegociuar marrëveshjen e Brexit-it, të negociuar me paraardhësen e tij Theresa May. Përfaqësuesit e BE nuk kanë mandat për rinegociim, tha Junckeri në një bisedë telefonike me Johnsonin.
Kontakt i drejtpërdrejtë
“Presidenti Juncker dëgjoi atë që kishte për të thënë kryeministri Johnson”, tha një zëdhënëse e Komisionit. Sipas kësaj, Junckeri përsëriti se marrëveshja e Brexitit ishte “marrëveshja më e mirë dhe e vetme e mundshme”. Kërkesat e reja të Londrës mund të integrohen vetëm në deklaratën politike jo detyruese mbi marrëdhëniet e ardhshme pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Megjithatë, zëdhënësia shtoi se Junckeri ishte i hapur për t’i shqyrtuar propozimet e Johnsonit.
Junckeri tha se donte të punonte në mënyrën më të mirë të mundshme me Johnsonin, shtoi zëdhënësja. Për të pasur një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi, të dy kishin këmbyer numrat e tyre tëw celularëve.
Gjithçka “e papranueshme”
Johnsoni dëshiron t’i japë fund tërheqjes së vendit të tij nga BE “me çdo kusht” deri më 31 tetor. Këtë ai e theksoi në fjalimin e tij të parë parlamentar në postin e ri. Kjo e bën më të mundshme largimin e Britanisë nga BE pa marrëveshje. Marrëveshjen e May-t për Brexitin Johnsoni e quajti në Dhomën e Poshtme të parlamentit në Londër “të papranueshme”. Nga ana e tij krynegociatori i BE për Brexitin, Michel Barnier, i hodhi poshtë si “të papranueshme” kërkesat e Johnson-it.
Franca: Jo negociata të reja për Brexitin
Edhe Franca refuzon të rinegociojë për marrëveshjen e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Me këtë Franca e kundërshton kryeministrin e ri britanik Boris Johnson. Johnsoni bën thirrje për heqjen e klauzolës së Irlandës së Veriut, e cila synon të shmangë një kufi të ngurtë midis provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe anëtares së BE, Irlandës.
Franca dëshiron të bashkëpunojë me Johnson-in, tha Sekretarja e Shtetit e Evropës, Amelie de Montchalin. Por ajo i përjashtoi negociatat e reja për Brexitin. Kjo është mënyra më e mirë për t’i mundësuar Britanisë së Madhe një dalje të rregullt nga Bashkimi Evropian. Për të folur për Brexitin “në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian”, Presidenti francez Emmanuel Macron e ka ftuar kryeministrin britanik të vizitojë Francën “brenda javëve të ardhshme”.