BE-ja nis negociatat për përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën pa roaming
Komisioni Evropian ka nisur negociatat për përfshirjen e Kosovës dhe pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në skemën e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, e cila mundëson përdorimin e telefonisë mobile dhe internetit pa tarifa shtesë të roaming-ut.
Siç njofton Komisioni Evropian në faqen e tij zyrtare, në këtë proces janë përfshirë Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Nisma ishte paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor në tetor të vitit 2026.
Përmes kësaj skeme, qytetarët që udhëtojnë ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil pa paguar tarifa shtesë për roaming.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se negociatat dypalëshe me vendet partnere tashmë kanë nisur.
Megjithatë, zbatimi i kësaj skeme nuk do të jetë i menjëhershëm. Fillimisht duhet të përmbyllen marrëveshjet përkatëse dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me rregullat e BE-së për roaming-un.
Pas përmbushjes së këtyre kushteve, Komisioni Evropian do t’i kërkojë Këshillit të BE-së miratimin për zgjerimin e zonës së roaming-ut edhe me gjashtë vendet e rajonit.
Ndërkaq, në qershor të vitit 2026, Këshilli i Bashkimit Evropian kishte autorizuar nisjen e negociatave për zgjerimin e kësaj skeme.
Marrëveshjet do të mbështeten në Marrëveshjet ekzistuese të Stabilizim-Asociimit, të cilat synojnë forcimin e stabilitetit në rajon dhe avancimin e integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.