FOKUS – Pesë vende të BE-së kërkojnë pagesë nga Britania për aksesin në tregun energjetik
– Pesë vende të BE-së kërkojnë që Britania të kontribuojë financiarisht në fondet e zhvillimit rajonal në këmbim të integrimit më të ngushtë energjitike, shkruan euronews.com.
Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të kontribuojë financiarisht në fondet e zhvillimit rajonal të BE-së, në këmbim të një integrimi më të ngushtë në tregun evropian të energjisë elektrike.
Kërkesa pritet të krijojë një tjetër pengesë në negociatat mes palëve, përpara samitit BE-Mbretëria e Bashkuar, që do të mbahet më 20 nëntor.
Kryeministrat e Belgjikës, Gjermanisë, Danimarkës, Luksemburgut dhe Holandës i janë drejtuar me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, duke kërkuar që integrimi i Britanisë në tregun e energjisë elektrike të BE-së të kushtëzohet me një kontribut financiar në fondet e kohezionit.
“Një marrëveshje për një kontribut të përshtatshëm financiar të Mbretërisë së Bashkuar në reduktimin e pabarazive ekonomike, sociale dhe territoriale ndërmjet rajoneve të Bashkimit Evropian duhet të lidhet me integrimin e saj në tregun e energjisë elektrike të BE-së”, thuhet në letër.
Pesë vendet synojnë të garantojnë që Londra të mos përfitojë nga avantazhet ekonomike të një bashkëpunimi më të ngushtë me tregun evropian, pa dhënë në këmbim një kontribut financiar.
Nisma mund ta shndërrojë bashkëpunimin energjetik në një debat më të gjerë mbi kushtet e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian pas Brexit.
Letra është firmosur nga kryeministri belg Bart De Wever, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden dhe kryeministri holandez Rob Jetten.
Edhe një projektdeklaratë e përbashkët BE-Mbretëria e Bashkuar, e parë nga Euronews, tregon se liderët evropianë mbështesin në parim idenë e një kontributi britanik në fondet e kohezionit të Bashkimit Evropian. Megjithatë, teksti mund të pësojë ndryshime përpara samitit të 20 nëntorit.
Ndërkohë, nënsekretari britanik i Shtetit për Sigurinë Energjetike dhe Objektivin Net-Zero, Martin McCluskey, ka deklaruar se Londra po negocion për të kuptuar propozimin e BE-së, por deri më tani nuk është rënë dakord për asnjë shumë apo kontribut financiar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.