Sarandë, arrestohen 2 doganierë, një polic dhe një tregtar për kontrabandë
Arrestohen në Sarandë dy doganierë, një efektiv policie dhe një tregtar. Burimet bëjnë me dije se arrestimi i tyre është bërë për kalimin e mallrave kontrabandë në pikën kufitare Qafë Bot, Sarandë. Në pranga kanë rënë Erjon Barjami, 54 vjeç, banues në Sarandë, doganier, përgjegjës i grupit të turnit, Kristaq Naço, doganier i kontrollit fizik të zhdoganimit, Hysni Bazaj, 59 vjeç, banues në Sarandë, efektiv i Policisë Kufitare, kontrollor dhe Antonil Zenelaj, 39 vjeç, banues në fshatin Vllahimë e Vlorës, drejtuesi i mjetit.
Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim, shtetasin Migjen Nushi, 34 vjeç, banues në Vlorë, doganier i kontrollit fizik të zhdoganimit. Sipas policisë rreth orës 17:00, në aksin rrugor Qafë Bot – Sarandë, shërbimet e antikontrabandës kanë ndaluar një automjet tip furgon “Benz” me targë AA226JT, në pronësi të shtetasit Antonil Zenelaj.
Në bazë të këtij operacioni, gjatë një kontrolli të ushtruar në këtë automjet, këto shërbime kanë konstatuar se mjeti ishte i ngarkuar me goma të përdorura, të cilat rezultonin të pa zhdoganuara. Gjatë hetimeve të kryera, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e mallrave të ndaluar në pikën e kalimit të doganës Qafë Bot të Sarandës. Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të 5 shtetasve të mësipërm për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kontrabandë me mallra të ndaluar”.