BE vë në dispozicion 922 mln euro, por investimet me financim të huaj bien 20% në 8 mujor
Shqipëria po hyn në një periudhë me mundësi shumë më të mëdha financimi nga Bashkimi Europian, por ndërkohë përdorimi i financimeve të huaja për investimet publike ka shënuar përkeqësim nga viti në vit.
Të dhënat zyrtare të buxhetit për 8-mujorin 2026 tregojnë se shpenzimet kapitale me financim të huaj arritën në 10 miliardë lekë, nga 12.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahasim me 8-mujorin 2025, investimet e realizuara me financim të huaj janë ulur me 2.5 miliardë lekë, ose 20%.
Realizimi ka mbetur ndjeshëm edhe nën plan. Për periudhën janar-gusht 2026 ishin parashikuar 13.6 miliardë lekë, ndërsa faktikisht janë shpenzuar 10 miliardë lekë. Kjo përfaqëson një realizim prej rreth 73.5% të planit, me një diferencë prej 3.6 miliardë lekësh.
Rënia e investimeve të financuara nga burime të huaja vjen pikërisht në një periudhë kur Shqipëria pritet të ketë në dispozicion një volum shumë më të madh financimesh nga Bashkimi Europian.
Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Shqipërisë i është caktuar një portofol prej 922.1 milionë eurosh për periudhën e zbatimit të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes. Ky financim përfshin si grante, ashtu edhe kredi me kushte të favorshme dhe lidhet me realizimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Sipas të dhënave zyrtare shqiptare, portofoli prej 922.1 milionë eurosh ndahet në rreth 429 milionë euro mbështetje direkte për buxhetin, 265 milionë euro grante për investime përmes Western Balkans investment Framework (WBIF) dhe 228 milionë euro kredi të favorshme për projekte infrastrukturore.
Deri më 20 maj 2026, Shqipërisë i ishin çliruar gjithsej 212.8 milionë euro, ose rreth 23.1% e shumës së përgjithshme të parashikuar. Shuma përfshin 64.5 milionë euro parafinancim, 99.3 milionë euro të çliruara në tetor 2025 dhe një këst tjetër prej 49 milionë eurosh në maj 2026.
Nga kësti prej 99.3 milionë eurosh, 46.2 milionë euro u përcaktuan për t’u transferuar drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër për projekte infrastrukturore përmes WBIF.
Pagesat nga Plani i Rritjes nuk janë automatike, pasi ato lidhen me përmbushjen e hapave të reformave dhe një pjesë e financimeve për investime duhet të kalojë përmes përgatitjes dhe miratimit të projekteve në WBIF. Kjo e bën kapacitetin e institucioneve për të përgatitur, kontraktuar dhe zbatuar projektet gjithnjë e më të rëndësishëm.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.