Rahoveci miraton deklaratën kundër aktgjykimit të Speciales
Kuvendi i Komunës së Rahovecit miratoi sot deklaratën me të cilën e cilëson si të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka shprehur kundërshtim ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një deklaratë të miratuar në mbledhjen e mbajtur sot, Kuvendi i Rahovecit e ka cilësuar aktgjykimin si të papranueshëm dhe ka thënë se ai prek ndjenjën e drejtësisë dhe kujtesën e popullit të Kosovës.
Në deklaratë përmenden edhe rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, për të cilët Kuvendi shprehet se janë dënuar padrejtësisht.
‘Kujtesa jonë dhe ballafaqimi me padrejtësinë lidhet edhe me dënimin e padrejtë e të papranueshëm të Salih Mustafës dhe të Pjetër Shalës’, thuhet mes tjerash në deklaratën e miratuar.
Kuvendi ka deklaruar se kundërshton çdo përpjekje për të barazuar agresorin me viktimën, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë personat që, sipas deklaratës, e kanë përjetuar këtë proces me dhimbje dhe shqetësim.
Në deklaratë thuhet se ‘beteja për drejtësi vazhdon’ dhe se e vërteta do të kërkohet përmes mjeteve demokratike.
Në fund, Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka përcjellë mesazhin: ‘JO NË EMRIN TIM! JO NË EMRIN E RAHOVECIT! LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!’
Para miratimit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se deklarata është përgatitur në bashkëpunim me kabinetin e kryetarit, shefat e grupeve politike dhe shoqatat e dala nga lufta.
Burimi: Klan Kosova.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.