Berisha kundër afrimit të Kapriles: Kombëtarja duhet të ketë lojtarë shqiptarë
Portieri kuqezi flet pas fitores 2-0 ndaj Finlandës dhe kërkon besim te brezi i ri
Etrit Berisha është shprehur kundër mundësisë që portieri italian Elia Kaprile t’i bashkohet Kombëtares, siç njofton Topgol.al. Pas fitores 2-0 ndaj Finlandës, portieri kuqezi tha se Shqipëria ka mjaftueshëm portierë shqiptarë dhe se përfaqësuesja duhet të ndërtohet mbi lojtarë shqiptarë.
“Ne kemi shumë portierë shqiptarë. Në anën time, Kombëtarja duhet të ketë shqiptarë. Unë pranoj si konkurrencë këdo që vjen në Kombëtare, por gjithmonë shqiptarë”, u shpreh Berisha për SuperSport, duke shtuar se konkurrenca është e mirëpritur, por brenda kornizës së lojtarëve shqiptarë.
Berisha u rikthye në portë pas kartonit të kuq në ndeshjen e parë me Finlandën dhe dha një kontribut të rëndësishëm për fitoren në “Air Albania”. Ai vlerësoi veçanërisht debutuesin Hasa në ndeshjen e tij të parë dhe theksoi ndërhyrjen vendimtare ndaj goditjes me kokë të Tenhos, kur rezultati ishte ende 1-0 dhe Finlanda kërkonte barazimin.
Portieri kuqezi kujtoi se goditjet standarde mbeten rreziku më i madh, pasi dy golat e pësuar në ndeshjet e fundit erdhën nga situata të tilla, dhe falënderoi stafin për punën e bërë në këtë drejtim. Ai shtoi se në ndeshjet e fundit Kombëtarja e ka nisur mirë, edhe në Finlandë, por në fund ka qenë më e fortë në goditjet standarde.
Për duelin e radhës me Bjellorusinë, më 15 nëntor, Berisha paralajmëroi një ndeshje të barabartë, pa tifozë në stadium, ku procesi i lojës do të jetë njësoj si në duelin e fundit. “Duam të jemi në vendin e parë, kemi potencial për të arritur më shumë. Mendoj që është një ekip që e barazon Shqipërinë. Kemi 12 pikë dhe duam të kemi përqendrimin të dielën”, theksoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.