Berisha sulmon Buxhetin 2027, bën thirrje për protestë masive më 28 Nëntor: Ky është buxheti tipik i një narkoshteti, i
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se ka hartuar buxhetin dhe paketën fiskale në kundërshtim me ligjin dhe pa konsultim publik.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se ky buxhet është produkt i një “narkoshteti”, që cenon sigurinë juridike të qytetarëve dhe të bizneseve.
Sipas tij ky buxhet nuk u konsultua me grupet e interesit, si Dhoma Amerikane dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë, si edhe shoqatat e biznesit, të cilat sipas tij kanë kundërshtuar paketën fiskale.
Ai bëri thirrje mbështetjeje edhe për protestën në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor, duke apeluar edhe ndaj bizneseve të prekura nga buxheti i ri, që t’i bashkoheshin sheshit për rrëzimin e qeverisë.
“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti. Si buxheti i hartuar nga një organizatë kriminale në të cilën shtylla kryesore e të ardhurave bazohet në një paketë fiskale, paketë fiskale që shkel të gjitha ligjet bazë të këtij vendi, Kushtetutën e Shqipërisë dhe sigurinë juridike që ajo garanton për qytetarët shqiptarë, për bizneset dhe për çdo gjë tjetër në këtë vend. Ky buxhet, në kundërshtim me përcaktimet e qarta ligjore, ka shkelur çdo lloj afati të parashikuar për konsultime publike. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Me implikacione të mëdha në të gjitha kontratat ekzistuese sot në këtë vend. Në të gjitha plan bizneset, parashikimet. Pra, paketë që de facto përmbys situatën edhe aktualisht shumë të disfavorshme. Me shumë të drejtë dhomat e tregtisë, Dhoma Amerikane, Dhoma Gjermane dhe të gjithë shoqatat përfaqësuese të interesave të bizneseve kanë protestuar, kanë hedhur poshtë këtë paketë, në të cilën Padrinoja i vë para faktit të kryer. Asnjë konsultim siç parashikon ligji. Detyrim ligjor. Pra injorim total i qytetarëve, injorim total i biznesmenëve dhe vendosje e një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen në një mënyrë apo në një tjetër qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, tha kreu i PD mes të tjerash në fjalën e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.