Berisha thirrje për front të përbashkët opozitar: PD e hapur për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare që të bashkohen në një front të përbashkët politik përballë qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se objektivi kryesor i opozitës duhet të jetë bashkëpunimi përballë sfidave politike që, sipas tij, po kalon vendi.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se Partia Demokratike është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë politike opozitare, pavarësisht dallimeve apo kritikave që mund të ketë ndaj tij personalisht.
“Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim. Mendoj se të gjithë ata që konsiderojnë Edi Ramën si të keqen më të madhe për Shqipërinë duhet të bashkohen në një front sa më të gjerë opozitar”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve argumentoi se bashkëpunimi mes forcave opozitare nuk do të thotë domosdoshmërisht bashkim politik apo programor, por një koordinim për objektiva të përbashkëta.
“Armiku i armikut tim është aleati im në një betejë kundër një të keqeje më të madhe. Kjo nuk do të thotë se bëhesh një me të apo adopton programin e tij, por bashkërendon veprimet për një qëllim të caktuar”, tha ai.
Berisha u ndal edhe te përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke deklaruar se Partia Demokratike ka përfunduar udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe se procesi do të nisë së shpejti.
Sipas tij, synimi është identifikimi i kandidatëve më të mirë, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me aleatët opozitarë edhe në nivel lokal.
“Partia Demokratike ka marrë parasysh të gjitha pretendimet, propozimet dhe sugjerimet e partive të spektrit opozitar. Qëllimi ynë është të krijojmë një front të përbashkët opozitar dhe, aty ku është e mundur, të mbështeten kandidatë të përbashkët”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se opozita duhet të lërë mënjanë mosmarrëveshjet për t’u përqendruar te objektivat politike që i bashkojnë.
“Duhet të tejkalohen hatërmbetjet, mëritë apo divergjencat e panevojshme dhe të punohet për atë që i shërben interesit të qytetarëve dhe të opozitës”, u shpreh kreu i PD.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha komentoi edhe zhvillimet në kampin socialist, duke vlerësuar qëndrimet kritike të shfaqura së fundmi nga figura të Partisë Socialiste, ndërsa shprehu shpresën që zëra të tjerë kritikë të angazhohen në mbrojtje të interesit publik.
Në pjesën hyrëse të komunikimit, kreu i opozitës ngriti kritika ndaj qeverisë lidhur me procesin e integrimit europian dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë, duke paraqitur qëndrimet e tij për zhvillimet e fundit politike.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.