⛅
Tiranë 16°C · Pjesërisht vranët 14 Nëntor 2026
S&P 500 7,562 ▼0.4%
DOW 52,348 ▲0.1%
NASDAQ 25,136 ▼0.91%
NAFTA 88.56 ▼0.2%
ARI 3,886 ▲0.03%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736 EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736
₿ CRYPTO
BTC $66,200 ▼ -4.34% ETH $1,861 ▼ -5.28% XRP $0.9868 ▼ -4.8% SOL $74.3900 ▼ -8.44%
S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.56 ▼0.2 % ARI 3,886 ▲0.03 % S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.56 ▼0.2 % ARI 3,886 ▲0.03 %
EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736 EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736
14 Nën 2026
Breaking
Opinion

Më shumë dramë për “kush” sesa për “çfarë”

Nga Bjorn Runa

Prej ditësh Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste u trajtua me tensionin që zakonisht i rezervohet hapjes së dritares së transfertave në botën e futbollit.

Entuziazmi dhe drama ishin krejtësisht të përqëndruara tek emrat: kush do të ishte kandidati për bashkinë Tiranës, cili do të ngjiste radhët e hierarkisë dhe kë do të çonte drejt rënies ftohja e marrëdhënieve nga ana e kryetarit?

Deri në mëngjesin e të shtunës, pritshmëritë kishin tejkaluar disa herë edhe premtimet publike të vetë partisë. Por, teksa mbledhja e sotme supozohej të ishte një lloj hapi i parë drejt përgatitjes së socialsitëve për zgjedhjet lokale të majit të 2027-ës, ajo çfarë u pa në fakt ishte një rishpërndarje e lidershipit politik të Tiranës dhe kërkesa për përjashtimin e ish-ministres së jashtme, Elisa Spiropalit.

Që të gjitha këto drama të tensionuara janë në vetvetetë rëndësishme, pasi ndryshimet e personave që kontrollojnë strukturat e partisë, veçanërisht ato të kryeqytetit, do të bëhen edhe më të vlefshme kur socialistët të ndezin seriozisht motorët e fushatës së ardhshme zgjedhore. Megjithatë, është e vështirë të mos vihet re se sa lehtësisht politka jonë, në momentet më të nxehta, rikthehet thuajse gjithmonë tek pyetja “kush,” edhe kur ngjarjet para nesh na ftojnë në një diskutim shumë më të gjerë në lidhje me “çfarë.”

Kjo është veçanërisht e dukshme në Tiranë, ku kryebashkiaku i ardhshëm do të trashëgojë një qytet që ka ndryshuar rrënjësisht nga ai i katër viteve më parë. Një qytet ku ndërtimi ka transformuar, jo gjithmonë për mirë, lagje të tëra, duke i futur në një lloj absurdi ku, pavarësisht epërsisë së ofertës ndaj kërkesës, çmimet e apartamenteve mbeten shumë larg asaj që mund të përballojnë shumica e njerëzve me një pagë mbi mesataren, e ku të tjerët janë krejt të pashpresë në këtë aspekt.

Një qytet ku banorët duhet ta organizojnë përditshmërinë e tyre sipas humorit të trafikut, i përkeqësuar ca më tepër pas thyerjes së semaforëve, ndërsa diskutimet rikthehen vazhdimisht tek marrëdhënia e pazgjidhur mes zhvillimit privat dhe publik të qytetit. Asnjë nga këto probleme nuk është ndonjë çështje misterioze, e megjithatë, asnjë prej tyre nuk është përfshirë seriozisht deri tani në diskutimet e socialistëve, por as të opozitës, në lidhje me atë se kush mund të jetë kandidati i ardhshëm për secilën palë.

Dimë shumë më tepër rreth marrëdhënies së kandidatëve potencialë me kryetarin, se sa për marrëdhëniet e tyre me qytetin që mund t’iu kërkohet të qeverisin për katër vitet e ardhshme.

Gjendemi pra përballë një përmbysjeje pak të çuditshme ku, në vend që interesi i qytetarëve për kandidatët potencialë të lidhet me propozimet e tyre për qytetin, në fakt mbetet ngushtësisht i lidhur me biografinë e tyre, duke shpresuar se politika do të vijë dikur. Pyesim vazhdimisht nëse ai ose ajo është mjaftueshëm i/e afërt me lidershipin, apo nëse strukturat e partisë do ta pranojnë dhe vetëm pasi emri ka qarkulluar mjaftueshëm në publik, nisim të pyesim se çfarë ai/ajo mendon në lidhje me modelin e zhvillimit urban që ka formësuar deri tani kryeqytetin.

Ndoshta e gjithë kjo nuk do të na vidhte kaq shumë vëmendje sikur programet pas emrave potencialë për kandidatë të ishin disi më të qartë, por sa kohë që dallimet e politikave mbeten të turbullta, atëherë marrëdhëniet dhe afërsia me qendrën e partisë zënë vendin që do duhej të kishin argumentet në lidhje me administrimin e qytetit.

Asambleja e të shtunës na dhuroi një version të përqendruar të kësaj lloj politike, ku edhe vetë takimi nisi me dyer të mbyllura, me bisedime mes asaj që kryeministri e cilësoi si “familja politike,” për të dalë nga diskutim privat me një tjetër raund ndryshimesh në emra dhe pozita. Është një dramë politike interesante, por nuk duhet harruar se, teksa në ditët në vazhdim votuesve do t’iu kërkohet t’iu besojnë administrimin e shumicës së zonave ku jetojnë shqiptarët, i gjithë procesi po trajtohet si casting për kandidatë potencialë. Kjo është gjithashtu arsyeja se përse diskutimi, të paktën për Tiranën, ndoshta duhet të nisë para se të kemi një emër kandidati dhe jo pas.

E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për opozitën kur ta ketë gjetur kandidatin e saj. Përndryshe, do ta kalojmë këtë periudhë nga tani e deri në maj duke krahasuar njerëz me qasje ndoshta të padallueshme nga njëra-tjetra sa i përket administrimit të qytetit, duke i shndërruar kështu zgjedhjet në një debat për karakterin dhe besnikërinë e secilit, pasi nuk do të ketë ndonjë mosdakordësi politike të konsiderueshme që t’ia vlejë të debatohet.

Natyrisht, e gjithë kjo nuk do të thotë se emrat janë të parëndësishëm, sa kohë që politika bëhet nga njerëzit dhe lidershipet e partive. Një kryebashkiak i keq mund t’i zbatojë keq edhe politikat më të mira, ashtu sikurse një tjetër më kompetent mund të bëjë dallimin në mënyrën si funksionon qyteti. Megjithatë, ky fiksimi ynë me personalitetin bëhet problematik në momentin që na lejon ta shohim ndryshimin e personave si provë se edhe politika ka ndryshuar.

Nga fundi i Asamblesë së të shtunës, mësuam shumë në lidhje me temperaturën e brendshme të PS-së, por e kemi ende të paqartë se çfarë do të thotë e gjithë kjo për shqiptarët dhe për Tiranën. Emrin e kandidatit të radhës do ta mësojmë në një mënyrë apo një tjetër. Nuk është se vuajmë për mungesë emrash. Ajo për të cilën po vuajmë është një ide më e qartë rreth asaj se çfarë saktësisht pritet të ndryshojë ai ose ajo.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.