Berisha: Vrasjet e fundit, degradim total i rendit dhe sigurisë
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një bashkëbisedim me gazetarët paraditen e kësaj të marte ka deklaruar se, situata e rendit dhe sigurisë në vend ka degraduar.
Sipas Berishës, shkaktarë për këtë situatë janë kryeministri Rama, për lidhjet e tij me krimin dhe ministri i Brendshëm që mbulon vrasjet. Për kete arsye, Berisha u ka bërë thirrje institucioneve kushtetuese që të reagojnë.
“Të hetohen lidhjet e Edi Ramës me krimin dhe lidhjet e Sajmirit me vrasjet. Të hetohen bandat me uniformë që rrëmbejnë njerëz dhe më pas i ekzekutojnë ku t’u teket. Kjo situatë paralajmëron një degradim total të rendit dhe sigurisë”, ka deklaruar Berisha.
Ish-kryeministri është shprehur se edhe policia sot ndodhet në shkallën më të ulët të profesionalitetit. “Sot policët tymosin kanabisit dhe kur policët bëjnë një gjë të tillë, rend në Shqipëri nuk mund të ketë”, ka thënë Berisha, i cili ka ftuar qytetarët që të marrin përsipër përgjegjësitë.
“U bëj thirrje qytetarëve që të shpëtojmë vendin me një revolucion demokratik paqësor. Të shpëtojmë vendin nga kjo klikë, kjo organizatë kriminale që quhet qeveri. Të bëjmë gjithçka për të dalë sa më shpejt nga kjo spirale shkatërrimtare”, ka thënë Berisha.
Më tej ai ka prekur edhe situatën ekonomike në vend, duke nënvizuar se, teksa rënia ekonomike është në pikiatë, institucionet e kryeministrit bëjnë propagandë rritjeje.
“Shpenzimet për vitin e ri kanë qenë më të ulëta. Janë bllokuar lejet e ndërtimit, s’kemi parë një shkollë, një sistem kanalizimi apo një spital të ndërtuar. Kemi parë vetëm lukse të shfrenuara. Ekonomia po bie në pikiatë për shkak të kontrabandës dhe vjedhjes me tenderat”, ka thënë Berisha.