BERLIN – Gjermania zgjeron ndjeshëm mbrojtjen antidron, pas incidentit në Lajpcig
BERLIN, 10 gusht /ATSH-DPA/ – Policia Federale gjermane do të zgjerojë ndjeshëm njësinë e saj të mbrojtjes kundër dronëve, pas zbulimit të një droni të pajisur me eksplozivë pranë avionëve ukrainas në aeroportin ”Leipzig/Halle”.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, pritet të urdhërojë sot rritjen e njësisë në rreth 300 punonjës, nga rreth 130 specialistë që ishte planifikuar të kishte më parë.
Njësia do të zgjerohet gjithashtu nga katër në tetë lokacione në të gjithë Gjermaninë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, qëllimi është që ekipet të mund të reagojnë sa më shpejt dhe në mënyrë fleksibël ndaj kërcënimeve nga dronët, veçanërisht në aeroportet dhe objektet me rëndësi të lartë për sigurinë.
Njësia e re u krijua në dhjetor, në një kohë kur autoritetet gjermane rritën shqetësimet për përdorimin e dronëve në operacione të dyshimta, me Rusinë si një nga burimet kryesore të dyshimeve.
Detyra e saj është zbulimi, bllokimi dhe, nëse është e nevojshme, rrëzimi i dronëve të rrezikshëm.
Policia do të përdorë ndër të tjera sisteme bllokuese të sinjalit të asistuara nga inteligjenca artificiale, si dhe dronë interceptues automatikë.
Njësia mund të mbështesë edhe policitë e landeve gjermane kur kapacitetet e saj e lejojnë.
Incidenti në ”Leipzig/Halle” ndodhi të martën e kaluar, kur një dron i pajisur me eksplozivë dhe detonator u zbulua pranë avionëve të transportit ukrainas.
Në të njëjtën kohë, një avion u përplas me një objekt të vogël fluturues të paidentifikuar, i cili mund të ketë qenë një dron i dytë.
Prokuroria Federale gjermane ka nisur hetimet për tentativë shpërthimi të një pajisjeje eksplozive dhe ndërhyrje të rrezikshme në trafikun ajror.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu nëse nevojiten ndryshime të mëtejshme ligjore për t’u dhënë forcave të sigurisë kompetenca më të mëdha në përballimin e kërcënimit nga dronët./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.