Bërnabiç-Zaev: Në pranverë seancë e përbashkët e qeverive Maqedoni-Serbi
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev tha se është arritur marrëveshje preliminare për seancë të përbashkët të dy qeverive, e cila duhet të mbahet në fund të shkurtit ose në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.
Në konferencën e përbashkët, Bërnabiq tha se në takim është biseduar për projekte konkrete dhe bashkëpunimi mbi të cilën duhet të punohet në atë seancë të përbashkët në mënyrë që të arrihet deri tek nënshkrimi i marrëveshjes. Për kryeministren Bërnabiq kjo vizitë e parë zyrtare e kryeministrit të Maqedonisë në Beograd është, siç tha, sinjal i mirë për të gjitha aktivitetet tona dhe të gjitha çështjet e hapura që të zgjidhet me dialog. “Ky është hap i madh për këtë”, tha Bërnabiq.
“Maqedonia e respekton dialogun që Serbia e ka hapur me Kosovën, respektivisht mes Beogradit dhe Prishtinës dhe besoj se në interes të Serbisë do të gjendet zgjidhje. Ne këtë e përkrahim tërësisht dhe shpresojmë se kjo do të jetë së shpejti, pasi kjo është me interes për Serbinë dhe perspektivën evropiane, por po ashtu nga kjo çështje varet edhe perspektiva e tërë rajonit tonë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Ne, siç potencoi Zaev, jemi popuj të afërt dhe obligimet tona si politikanë është ta ndjekim interesin dhe ta avancojmë bashkëpunimin mes dy popujve tanë. “Ajo që u kontraktua mes dy qeverive dhe në nivel më të lartë presidencial është që për çdo çështje, sado që të jetë e dhimbshme apo pozitive, çdoherë të ngremë telefonin dhe të bisedojmë dhe të arrijmë marrëveshje për atë që duhet, pasi miqtë ashtu bëjnë”, tha kryeministri i Maqedonisë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.
Lidhur me rastin me të punësuarin në ambasadën serbe në Shkup, i cili ishte në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill, gjatë incidenteve, Zaev tha se në atë frymë, në mënyrë shumë miqësore dhe diplomatike është gjetur zgjidhje për atë rast. “Kemi bërë marrëveshje bilaterale, ne kemi tërhequr njeri tonin, Serbia të vetin”, tha Zaev.
Në takimin e sotëm fokusi ishte në përmirësimin e punës së doganave, por edhe të projekteve të mëdha të infrastrukturës të tilla si përfundimi i Korridorit 10, ndërtimi i hekurudhës Budapest-Beograd-Shkup dhe lidhjes me gaz, mes qyteteve Vranjë-Kumanovë.