Bilanci 2-vjeçar, Veliaj: Në 800 ditë, bëmë 800 punë konkrete; Të dielën votojmë progresin dhe punën
Sot, kryebashkiaku Erion Veliaj rezervoi një falenderim për të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës për punën e kryer në këto dy vjet në kryeqytet. Punë konkrete të cilat u përkthyen në investime të mëdha e të vogla, në çdo lagje të Tiranës, me rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve, shkollave, ndërtimin e këndeve të reja të lojërave për fëmijët, parqe e lulishte, rikualifikime blloqe banesash, të që jo vetëm kanë përmirësuar infrastrukturën publike, por edhe cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Në analizën 2-vjeçare të punës, Veliaj tha se në 800 ditë të administratës së Bashkisë, janë realizuar 800 punë publike konkrete për qytetin. “Këto 2 vjet, në Bashkinë e Tiranës kemi një moto: Nuk perëndon dielli në Tiranë pa bërë një punë konkrete. Deri më sot kemi përfunduar në total 800 punë publike në 800 ditët e administratës tonë në Bashkinë e Tiranës. Besoj se nëse do vijojmë edhe dy vitet e ardhshme me të njëjtin motivim, pra duke ardhur në mëngjes sit ë ishte dita e parë e punës e duke ikur në darkë si të ishte dita e fundit, besoj se për Tiranën do të ketë veç ditë të mira”, theksoi Veliaj.
Veliaj deklaroi se me marrjen e detyrës, Bashkia e Tiranës riktheu çekun e bebes i cili u ndërpre gjatë kohës që drejtonte Lulzim Basha. “Mbaj mend që për 4 vite nuk paguhej çeku i bebes. Sot kur dëgjoj ish kryetarin e Bashkisë të thotë: “Do ushqej të gjithë fëmijët tuaj”, them: OK, mund ta thuash diku tjetër, por në Tiranë nuk e ha më njeri. Asnjëherë shqiptarët nuk kursejnë tek fëmijët dhe gjithmonë më ka ardhur keq se si vendimi i parë i një kryetari bashkie ishte të hiqte çekun e bebes. Më vjen mirë që e rikthyem për mijëra bebe që lindin në Tiranë, si një mënyrë për t’u thënë: “Mirë se erdhe në qytetin më të mirë të Shqipërisë””, u shpreh ai.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ditën e zgjedhjeve të votojnë për progresin dhe për punën dhe të mos e lënë qytetin e tyre që të rikthehet tek gjumi. “Ndaj teksa shkojmë në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme që të kuptojmë nëse Shqipëria do të ecë përpara, do bëjë progres, do besojmë tek puna apo do i fusim një indietro, do t’ja fusim gjumit dhe do e lëmë sahatin 12. Shpresoj që njerëzit e këtij qyteti janë të emancipuar dhe në dallim nga të gjithë të tjerët do votojnë si kryeqytetas, me respekt, me qetësi, duke respektuar mendimin e secilit dhe duke kaluar në paqe të gjithë periudhën zgjedhore për t’u rikthyer sërish tek puna”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar më të vegjëlve në mënyrë që ata të rriten me të gjitha kushtet e nevojshme. Ndryshe nga gjendja e katër viteve më parë ku muret e çerdheve dhe të kopshteve ishin të mbuluara nga myku, Veliaj theksoi se tashmë ato janë transformuar brenda të gjitha standardeve.
Kryetari i Bashkisë deklaroi se një vëmendje e veçantë është treguar dhe për familjet e reja të cilat do të kenë gjithë mbështetjen nga Bashkia. Për herë të parë, tha Veliaj, Bashkia ka hapur sërish kreditë e buta për familjet në nevojë dhe ato të reja. “Një nga projektet e mira që rikthyem pas pauzës mes administratës së Edi Ramës dhe administratës tonë ishte rikthimi i kredive të buta. Më vjen mirë që kemi pasur mijëra aplikime. Në fund të verës do të kemi rezultatet finale, si ne, si banka, për të paktën 1000-1500 apartamente të reja në ndihmë të atyre që sapo kanë krijuar një familje në Tiranë. Besoj se edhe në këtë stacion shumë të rëndësishëm të jetës, Bashkia e Tiranës është aty për t’i dhënë një dorë dikujt që me të drejtë, ashtu siç e thotë edhe Edi Rama, e shohin Tiranën si një mini-Amerikë”, tha ai.
Por krahas investimeve madhore, Bashkia e Tiranës është kujdesur që të investojë edhe në blloqet e banimit, ku çdo vit janë rehabilituar rreth 50 të tillë. Veliaj garantoi qytetarët se është vetëm çështje kohe sa investimet të mbërrijnë në çdo rrugicë. “Ne kemi pasur dy vite të suksesshme nga 50 blloqe që rehabilitohen çdo vit. Po ju kujtoj që Tirana ka dhe 200 të tjerë. Do të thotë që kemi punë dhe për dy vite të tjera derisa të prekim çdo bllok. Por për sa kohë që çdo ditë ka një punë konkrete dhe njerëzit e shohin që çdo ditë përfshi dhe të shtunë dhe të dielë, bashkia po prodhon një rezultat konkret, është vetëm çështje kohe sa të mbërrijnë te lagjja apo rrugica jote”, tha ai.
Duke u ndalur në transportin publik, Veliaj u shpreh se nga një flotë e shkatërruar me automjete në shërbim të qytetarëve, tashmë ajo është e pajisur me automjete të reja të cilat ofrojnë një standard shumë herë më cilësor. Veliaj deklaroi se revolucioni i vërtetë në këtë shërbim do të jetë bileta elektronike dhe sistemi i kontrollit. “Sot jam shumë krenar për atë që kemi bërë në transportin publik. Unë besoj se jemi dita me natën me ‘dum-dumet’ që trashëguam dhe me një sistem që ishte totalisht janë kontrollit. Sot shumë prej kompanive janë disiplinuar. Besoj se revolucioni i vërtetë do të ndodhë në pjesën e dytë të mandatit me futjen e biletës elektronike dhe me një sistem kontrolli në çdo sekondë. Më vjen mirë që ky ka qenë vit rekord. Për herë të parë që pas vitit 91, kemi më shumë qytetarë që po përdorin transportin publik se sa ata që po përdorin makinat private”, u shpreh ai.
Veliaj dha edhe një lajm të mirë për të gjithë qytetin e Tiranës, ku përmendi disa nga investimet madhore të cilat do të realizohen në këto dy vite në kryeqytet, siç janë Terminali Perëndimor, Kopshti Botanik dhe Zoologjik, rehabilitimi i Piramidës, si dhe ndërtimi i rrjetit të korsive të biçikletave.
Kreu i Bashkisë u shpreh se Bashkia e Tiranës gjatë këtyre dy viteve i ka trajtuar të gjithë qytetarët si të barabartë, pavarësisht bindjeve të tyre politike. “Mesazhi që i kemi dhënë këtij qyteti është që i shërbejmë të gjithëve njësoj. Sigurisht, jemi një koalicion shumë funksional në Bashkinë e Tiranës, me 4 parti, ama nuk i kemi ndarë njerëzit në socialistë dhe demokratë. Madje kur kemi bërë investime kanë qenë shumë nga zonat ku edhe unë nuk kam dalë me rezultatin më të mirë të mundshëm, siç mund të jetë Lapraka, Zall-herri, zona e Pazarit të Ri, ku shumë njerëz më kanë thënë në fillim, je i çmendur, pse po shpërblen njerëz që nuk të votuan aq shumë?! Sepse thashë, kjo është filozofia jonë, filozofia e re e Bashkisë së Tiranës është që nuk i ndajmë njerëzit”, tha ai.