Rama: Starton asistenca antiburokratike për çdo sipërmarrës vendas e të huaj
“Dedikim 24 orë në 24 në zyrat e shtetit për ankesat e sipërmarrjes”. Kjo ishte ajo që kërkoi sot kryeministri Edi Rama, në prezantimin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes për biznesin.
Rama theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që i jepet këtij shërbimi të ri në platformën e bashkëqeverisjes për çdo sipërmarrës që has probleme.
“Të gjitha ato institucione varësie që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sipërmarrjen kalojnë tani në një stad të ri të trajtimit të çdo ankese. Çdo adresim duhet të bëhet në një kohë të shpejtë pa lënë që marrëdhënia mes sipërmarrësit e shtetit të ngecë”, tha Rama.
Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme që të përshpejtosh punën e një biznesi që krijon punë dhe që udhëheq më shumë se sa një familje.
“Historia e marrëdhënieve mes sipërmarrësve dhe shtetit është një histori e vështirë. Këto marrëdhënie janë përmirësuar ndjeshëm në këto vitet e fundit, por janë larg së qeni aty ku duhet. Është e pafalshme që një sipërmarrës të mos dijë se kur mund të drejtohet për të marrë një përgjigje, kur kërkon të zhbllokojë një ngërç në aktivitetet e tij apo kur kërkon të bëjë një investim që do të sjellë më shumë para në ekonomi dhe punë dhe mirëqenie”, tha Rama.
Rama tha se “të gjithë ata që janë përzgjedhur si koordinatorë të këtij rrjeti që sot do t’i dedikohen 24 orë në 24 biznesit në çdo ministri dhe institucion që është përcaktuar si pikë kritike”.
“Koordinatorët nuk duhet të lejojnë që një adresim i biznesit në institucionin ku ata janë apo mbikëqyrin të mbetet nëpër sirtarë. Ata duhet të bëjnë një inventar të menjëhershëm në çdo protokoll të institucionit ku janë koordinatorë për të parë çfarë ka aty që pret”, tha Rama.
Çdokush që është koordinator në kabinetin e Ministrit për Sipërmarrjen, sipas tij, “duhet të marrë menjëherë autoritetin dhe përgjegjësinë për të qenë në krye të detyrës 24 orë në 24 dhe për të qenë pika e referimit e çdo shkalle në administratë”.
“Koordinatori i biznesit duhet të kuptojë se nuk janë aty për sekretarë, për të bërë dispeçerimin e informacionit, por janë aty autoritet përfaqësues i qeverisë për të ndërhyrë në kohë reale dhe për të zgjidhur problemin”, tha Rama.