Bisedimet shqiptaro-greke vijojnë në ditën e tretë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologu grek Nikos Kotzias, nisën sot në Korçë, ditën e tretë të bisedimeve.
Sikurse e bëri të ditur edhe Bushati në prononcimin e një dite më parë në këtë takim do të vijohet me diskutimin e të gjitha çështjeve të hapura mes dy vendeve. Ndërkohë që takimi do të jetë i mbyllur për mediat.
Në përfundim të ditës së dytë të bisedimeve me homologun e tij grek, Nikos Kotzias në Korçë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati konfirmoi se është bërë progres i qenësishëm për sa i përket temave të diskutuara.
“Këto janë diskutime jo të lehta, sa i përket faktit që tematika është e gjerë, e shtrirë në kohë, në 70 vite histori. Mund t’u them që kemi bërë progres të qenësishëm. E diela do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekrete sepse temat janë thënë nga të dyja palët. Jemi në procesin e shtjellimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj edhe drejt zgjidhjeve konkrete”, deklaroi ministri Bushati.
Prej ditës së premte, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias po zhvillojnë në Korçë takimin e dytë mbi bisedimet për çështjet e hapura mes dy vendeve, vijim i takimeve në Kretë, Greqi një muaj më parë.
Në një intervistë televizive një javë më parë, Bushati i ndau në tre etapa problemet midis Shqipërisë dhe Greqisë në të së shkuarës, aktuale si dhe ato të së ardhmes.
Veç temave të ligjit të luftës dhe marrëveshjes së detit, në tryezë janë dhe raportet e sotme mes dy vendeve fqinj, si çështja e vulës apostile, kthimet e emigrantëve në kufi, njohja e lejeve të drejtimit dhe tekstet mësimore.