Bizneset përballë faturave të reja, detyrimet vendore rriten deri në 4-fish
Rivlerësimi i xhiros vjetore për vitin 2025 ka sjellë rritje të ndjeshme të detyrimeve vendore për një pjesë të bizneseve në Tiranë, veçanërisht për tarifën e pastrimit dhe taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore.
Këto detyrime llogariten sipas kategorisë së xhiros vjetore të biznesit, e cila ndahet në katër fasha kryesore. Kur një subjekt kalon nga një kategori më e ulët në një më të lartë për shkak të rritjes së të ardhurave, automatikisht rriten edhe taksat dhe tarifat që duhet të paguajë.
Në disa raste, bizneset që deri në vitin 2024 klasifikoheshin me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit, gjatë vitit 2025 janë riklasifikuar në kategorinë me xhiro mbi 8 milionë lekë. Si pasojë, detyrimet e tyre vendore janë rritur ndjeshëm.
Për shembull, një njësi shërbimi që më parë paguante 4 mijë lekë në vit për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, pas riklasifikimit në fashën mbi 8 milionë lekë xhiro vjetore, është ngarkuar me një detyrim prej 17 mijë lekësh, ose më shumë se trefishi i shumës së mëparshme.
Edhe tarifa e pastrimit ka pësuar rritje të konsiderueshme. Për të njëjtin subjekt, pagesa vjetore është rritur nga 11,500 lekë në 57,500 lekë, ose rreth katër herë më shumë se një vit më parë.
Ndryshimi i kategorisë së xhiros bazohet në të dhënat fiskale dhe ndikon drejtpërdrejt në nivelin e taksave vendore që duhet të paguajë çdo biznes.
Për vitin 2025, bizneset patën mundësinë të vetëdeklaronin ndryshimet e të dhënave, përfshirë xhiron vjetore, përpara rillogaritjes së detyrimeve. Mosdeklarimi në afat mund të sjellë jo vetëm rivlerësim të detyrimeve, por edhe gjoba dhe kamatëvonesa.
Si ndryshojnë detyrimet sipas xhiros
Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore
2,500 – 8,000 lekë në vit për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë.
4,000 – 9,000 lekë në vit për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë.
11,000 – 27,000 lekë në vit për bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë.
18,000 – 37,000 lekë në vit për bizneset me xhiro shumë të lartë, sipas kategorisë së aktivitetit.
Tarifa e pastrimit
4,000 – 5,750 lekë në vit për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë.
11,500 – 13,800 lekë në vit për bizneset me xhiro nga 2 deri në 8 milionë lekë.
23,000 – 92,000 lekë në vit për bizneset me xhiro mbi 8 milionë lekë, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë.
Rritja e xhiros mund të sjellë përfitime për biznesin, por njëkohësisht e kalon atë në kategori më të larta taksimi, duke rritur ndjeshëm barrën e detyrimeve vendore.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.