Biznesi në mbështetje të turizmit në prag të sezonit veror
Jemi në fillim të nisjes së sezonit turistik verorë dhe po bëhen përpjekje për ta menaxhuar sa më mirë verën e sivjetme.
Kështu, në konferencën e VII-të Kombëtare të Turizmit të mbajtur ditën e martë në Tiranë, u lidhën dhe shumë marrëveshje.
Shoqata Shqiptare e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit kanë nënshkruar për herë të parë marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre. Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Enver Mehmeti e quajti këtë një moment historik pasi për herë të parë po arrihet një marrëveshje e tillë.
Për herë të parë fushës së turizmit i është bashkuar edhe Veneto Banka si partner zyrtar Gold. Daniele Scavaortz Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka ka thënë se ky është një investim që ka si qëllim të japë siguri për grupin strategjik të këtij sektori dhe se do të garantojë mbështetje të vazhdueshme për turizmin.
“Është një ditë e veçantë për Veneto Banka e cila synon të hapë një bashkëpunim strategjik me sektorin e turizmit në veçanti dhe me shoqëritë e turizmit në vend. Do të jetë një bashkëpunim afatgjatë që ka si synim të dalë nga vijat e përgjithshme të një sponsori të përgjithshëm, por do të sjellë një dinamikë të re në fushën e investimeve dhe të mbështetjes. Grupi jonë bankar synon të paraqesë mbështetjen qoftë kjo për grupe që kanë ide strategjike ose qoftë si mbështetje për bizneset që kanë në fokus turizmin”, është shprehur Scavaortz.
Ndërkohë, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame tha se marrëveshja ka si qëllim rritjen e turistëve dhe ofrimin e shërbimeve më të mira.
Firmosja e marrëveshje ka marrë edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë përmes përfaqësuesit të tyre në konferencë, zv/ministrit të Ekonomisë, Ervin Mete.