Biznesi: Të nxjerrësh gështenjat me duart e italianëve…
Nga Blerina Hoxha
Lumja, një grua në të pesëdhjetat, banore në Dukagjin të Kukësit, një fshat në mesin e një masivi gështenjash, është mjaft e entuziazmuar për fitimet që pati vitin e shkuar nga shitja e gështenjave. Bashkë me burrin e papunë dhe tre fëmijë që ndjekin arsimin parauniversitar, në 20 ditët e para të muajit tetor, ajo udhëheq aksionin për vjeljen e gështenjës. Nga viti 2010, çmimi është katërfishuar. Vitin që shkoi, ajo fitoi 500 mijë lekë (të reja siç i cilëson ajo) të mjaftueshme për të siguruar shpenzimet e shkollës për fëmijët dhe blerjen e ushqimeve bazë për të gjithë vitin, si mielli dhe disa artikuj industrialë dhe ushqime për bagëtitë. Për Lumen, gështenjat po bëhen bekimi i Zotit dhe buka e të varfërve, pasi çdo vit që kalon, çmimi vetëm po rritet. Për të, fitimet nga shitja e gështenjës janë krejt të pastra.
Pema rritet në pyll, nuk kërkon kujdes gjatë vitit dhe për më tepër ka çmimin më të lartë se çdo frutë tjetër, që kultivohet në zonë. Nuk prishet shpejt dhe tregun e ka të sigurt. Ndërsa ka siguruar bukën e vitit me fitimet nga gështenja, në pjesën tjetër të vitit ajo ka mundësi të kujdeset për tokën e pakët që mezi sa prodhon disa perime për përdorim vetjak dhe ato pak kafshë të imta që e ndihmon edhe i shoqi. Nga fitimet e gështenjës, Lumja ka pasur mundësi të investojë në përmirësimin e kushteve të banimit, duke bërë rikonstruksionin e shtëpisë dhe duke blerë disa pajisje të reja elektroshtëpiake. Historia e Lumes, në fakt, është e njëjta për mijëra banorë të Kukësit, Tropojës, Malësisë se Madhe, Librazhdit etj., të cilët po e lidhin mbijetesën e tyre me fitimet që po sjell gështenja.
Varfëria në këto zona, sipas INSTAT, shkon deri në 25%, ndaj shpërthimi i biznesit të gështenjës kryesisht tre vitet e fundit po shihet si garanci për të ardhmen. Në vitin 2010, një kilogram gështenje ka kushtuar vetëm 20 lekë. Me këtë shumë, fshatarët duhet të përballonin edhe shpenzimet e shtrenjta të transportit deri në tregun e qytetit. Shpesh, sasitë nuk shiteshin dhe fitimet finale nuk arrinin as 10 lekë për kilogram.
Por sot, katër vite më pas, situata ka ndryshuar kryekëput. Një kilogram gështenje e cilësisë së tretë kushton nga 100-120 lekë, ose 6-fish më shumë. Për transportin nuk ka asnjë shpenzim. Kompanitë e eksportit kanë nisur të grumbullojnë frutën brenda plantacioneve në fund të ditës së vjeljes, duke siguruar fitim të shpejtë, të lartë dhe pa firo për fshatarët.
Pesëfishohen eksportet
Porti i Durrësit është i vetmi në të cilin realizohet eksporti i gështenjave shqiptare. Në vitin 2015, sipas të dhënave që kanë operatorët e tregut të cilët i referohen Doganës së Durrësit, janë eksportuar drejt Italisë 100 kamionë me gështenja ose 2500 tonë. Çmimi i eksportit ka qenë 1.3 euro për kilogram, duke siguruar për kompanitë më shumë se 3.2 milionë euro të ardhura. Jo më larg se në vitin 2011 eksportoheshin vetëm 20 kamionë gështenja ose afërsisht 650 mijë euro. Për nga vlera, gështenja është një treg i vogël, por rëndësia lidhet me volumin e zinxhirit të përfitimit.
Të ardhurat e siguruara nga eksporti shpërndahen në mijëra familje të banorëve që vjelin dhe frutën dhe gjithashtu shkojnë për financimin e grumbulluesve ndërmjetës që e transportojnë gështenjën nga malet në qendrat e grumbullimit të eksportuesve.
Edona Bilali, një vajzë e pasionuar pas biznesit të prodhimeve vendase, nëpërmjet “AZ Consulting” po jep konsulencë për operatorët e eksportit të gështenjës. Ajo tha se, aktualisht janë 5 shoqëri të mëdha që eksportojnë gështenjën, por biznesi po vuan mungesën e përfitimeve nga mungesa e zinxhirit që çon në rritjen e vlerës. Megjithatë, të ardhurat e kompanive po rriten dhe kërkesa e jashtme është gjithnjë e në rritje. Por edhe gështenja, si të gjithë kulturat e tjera bujqësore, varet nga kushtet e klimatike. Thatësira e zgjatur vitin e kaluar ka frenuar prodhimet dhe cilësinë e tyre duke bërë që në disa zona, sasitë për eksport të ishin të kufizuara.
Operatorët rrisin të ardhurat
Operatorët e mëdhenj të eksportit të gështenjave kanë parë rritje të xhiros me ritme dyshifrore vitet e fundit. Kompania “Lea 2011″, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës, realizoi të ardhura nga shitjet në vitin 2014 në 170 milionë lekë. Sipas të dhënave të bilancit në QKR, në fakt, kompania pa rënie të xhiros me 24% në krahasim me vitin 2013, për shkak të hapjes së tregut dhe futjes së shumë operatorëve të tjerë, të cilët po joshen gjithnjë e më shumë nga fitimet e biznesit të gështenjës. Kompania tjetër, “Tone Mazreku”, rriti të ardhurat nga shitjet e gështenjës më 2014 në 23% sipas bilancit të dorëzuar në QKR, në krahasim me vitin 2013. Tone Mazreku me ortakët italianë të Zanone realizuan 180.3 milionë lekë nga shitjet më 2014, nga 146 milionë lekë në vitin 2013. Tregu dominohet nga pesë operatorë të mëdhenj dhe është në proces zgjerimi të mëtejshëm.
Cilësia vendos
Që kur italianët zbuluan parajsën shqiptare të gështenjës, gjithçka ka ndryshuar për mirë. Edona pohon se fillimi ka qenë i mbarë, por rruga është plot me pengesa. Në një nga këto vitet e fundit, kur gështenjat në Itali u bënë pre e një virusi që e bëri të pakonsumueshëm atë, italianët u drejtuan jashtë vendit të tyre për të gjetur sasitë e mëdha të gështenjës që i duheshin industrisë vendase të përpunimit.
Edona tha se prezantimi me gështenjën autoktone, sidomos me atë të Tropojës, ka qenë dashuri me shikim të parë. Për të bindur italianët për cilësinë “Made in Albania” të gështenjës u çuan kampionët për analiza në laboratorët austriakë. Gështenja e prodhuar në zonën e Tropojës mori vlerësimin si cilësi e parë në rang europian, duke garantuar tregun dhe çmimin e lartë. Gështenja e Reçit, ajo e Elbasanit dhe Librazhdit u kategorizuan në cilësinë e dytë dhe Kukësi me Kosovën në kategorinë e tretë. Të ndara në këto kategori, Tropoja mbetet burimi kryesor i furnizimit për eksportet si për shkak të cilësisë së garantuar, por edhe të sasisë së madhe që prodhohet në këtë zonë. Edona pohon se, kërkesa për gështenjën shqiptare është shumë më e lartë se oferta, duke sugjeruar se ka mjaft hapësira për të rritur prodhimin e kësaj frute. Por për të rritur edhe më tej zinxhirin e vlerës duhen zhvilluar elementet të tjera të tregut, që nga investimet në qendrat e grumbullimit deri në përpunim.
Tropoja në fokus
Një kilogram gështenja në periudhën e pikut shitet nga banorët e Tropojës që e vjelin atë me 130-150 lekë për kilogram. 15 lekë të tjera për kilogram i marrin transportuesit e të vjelave nga pemët në magazina. Në muajin tetor, në zonën e Tropojës, kryefjala është gështenja. Edhe të larguarit që e kanë konsoliduar jetesën prej vitesh larg Tiranës, çdo tetor kthehen në Tropojë, duke grumbulluar frutat në pronat e tyre sipas ndasive të vjetra.
Eksportuesit pohojnë se paraja cash që qarkullon në tetor në Tropojë për pagesat e vjeljes nuk përballohet as nga bankat. Pasi atje, vetëm një bankë e nivelit të dytë ka degë. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë në Kukës, ekosistemi i gështenjës në Tropojë zë 20% të sipërfaqes dhe nga studimi i fosileve rezulton se origjina e tyre është 10 mijë vjeçare. Pemët janë të shtrira në lartësinë deri në 900 metër mbi nivelin e detit në një sipërfaqe deri në 2800 hektarë, duke përbërë kështu masivin më të madh të gështenjave në Ballkan. Vendasit e kanë lidhur jetesën jo vetëm me frutën e gështenjës, por pema që rrit frutën është një industri e tërë. Druri i gështenjës dhe mobiliet prej tij janë të pavdekshme dhe tradicionalisht janë përdorur nga banorët e zonës për orendi shtëpie, vegla pune dhe për ngjyrosje në industrinë e qilimave. Por tani që çmimi i frutës është katërfishuar vetëm në pesë vjet, kujdesi i vendasve për pemët është shtuar. Por mbështetja e shtetit dhe njohuritë për mirëmbajtjen e saj janë të kufizuara. Deri më tani, gështenja e Tropojës është rritur në gjendje të egër, por në kushtet e reja të ndryshimit të klimës dhe shpeshtimit të sëmundjeve mund të mos mbijetojë përjetësisht. Banorët kërkojnë mbështetje nga strukturat shtetërore që të rrisin kujdesin për të shtuar prodhimin dhe vlerat e frutës. Shoqata “Gështenja e Tropojës” pohon se studimet e fundit konfirmojnë se mundësia e përhapjes së gështenjës dhe e zgjerimit të sipërfaqeve të saj ekziston dhe se përhapja në ato vende ku kushtet ekologjike e favorizojnë është domosdoshmëri jetike, pasi gështenja është specia drufrutore më dobiprurëse, më e lehta për t’u përhapur, që përshtatet më lehtë me ekologjinë e zonës, që sjell të ardhura 100 herë më shumë se llojet tjera pyjore dhe që nuk kërkon aq shumë shërbime. Gështenja në moshën 40-vjeçare jep të ardhura për komunitetin 40 deri në 50 euro në vit, duke llogaritur vetëm vlerën e frutave, të luleve dhe të gjetheve, duke përjashtuar vlerën e lëndës drusore. Gështenja jeton disa herë më shumë se speciet e tjera të pyllit, ndaj dhe të ardhurat që sjell ajo, shtohen në projeksion gjeometrik. Kështu, gështenja në 100 vjet, sjell të ardhura për komunitetin 100 herë më shumë se këto specie pyjore, vlerësojnë ekspertët e ekosistemit të Tropojës.
Mungon zinxhiri i vlerës
Një kilogram gështenje cilësi parë si ajo e Tropojës shitet në tregun e pakicës në Itali deri në 7 euro, ndërsa eksportuesit shqiptarë nuk marrin më shumë 1.3 euro. Për shkak se biznesi vendas e çon produktin më së shumti të papërpunuar e kështu nuk arrin të maksimizojnë fitimet që i takon, thotë Edona nga “AZ Consulting”. Gështenja shqiptare ndahet në blerësit italianë në kategori të ndryshme dhe cilësia e parë, ajo që nxirret në supermarkete, pastrohet dhe luçidohet duke i dhënë një shkëlqim që i jep një pamje të kënaqshme për konsumatorët. Kategoritë e tjera shkojnë për industrinë e përpunimit, e cila në Itali është mjaft e zhvilluar. Seleksionimi për eksport do të ishte mjaft fitimprurës po të bëhej në Shqipëri nga të gjitha kompanitë.
Që ekonomia shqiptare të rrisë përfitimet nga gështenjta, Edona thotë se duhet që shoqëritë që merren me grumbullimin dhe eksportin të investojnë në dhomat frigoriferike. Pasi vetëm nga mosruajtja në kushte të tilla, firot shkojnë deri në 20% nga vjelja deri në eksport. Hapi tjetër është zhvillimi i industrisë së përpunimit. Në Itali prodhohen me dhjetëra nënprodukte me bazë gështenjën që gastronomia shqiptare ende nuk i njeh. Në kushtet kur Shqipëria është një prodhues potencial i gështenjës në Ballkan mund të zhvillojë industrinë përpunimit të produktit duke e gjeruar edhe më tej zinxhirin e përfitimit të vlerës.
Koncesioni i skanimit, pengesë edhe për gështenjën
Koncesioni i skanimit duket se është bërë pengesë edhe për eksportin e gështenjës. Pritja në radhë të gjatë për t’iu përgjigjur grafikëve të rinj të eksportit për shkak të koncesionarit të skanimit është bërë pengesë edhe për eksportuesit e gështenjës. Nuk është aspak e vlefshme pritja me orë të tëra, pasi për shoqëritë e gështenjës, çdo orë në port përkthehet në rritje të firove dhe kosto të tjera që vijnë nga pagesat ndaj Portit të Durrësit – pohojnë administratorët e “AZ C”, një kompani eksporti. Veç kësaj, kalimi në skaner me rreze e bën të diskutueshëm kredibilitetin e gështenjës shqiptare dhe mund të dëmtojë reputacionin e saj për tregtim në të ardhmen. Eksportuesit sugjerojnë që kontrolle të tilla duhet të bëhen me bazë risku, për të mos cenuar sigurinë e artikujve ushqimorë për eksport dhe gjithashtu të eliminojnë kostot që vijnë nga vonesa në pritje të skanimit. Pothuajse i gjithë eksporti i gështenjës realizohet nga Porti i Durrësit, nëpërmjet të cilit realizohen gati 80% e eksporteve shqiptare. Por shërbimi i skanimit që ka nisur në vjeshtë të vitit të kaluar, përveç tarifës 22 euro për çdo deklaratë doganore, duket se kostot më të rënda i ka në burokracitë që po krijon në eksportin e produkteve “Made in Albania”.
Përpjekjet për ciklin e mbyllur
Nisur nga vlera e përfitueshmërisë që por vjen në rritje nga viti në vit, biznesi i gështenjës është duke tërhequr edhe vëmendjen e donatorëve. Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar GIZ në masivin e gështenjave në zonën e Reçit në Malësinë e Madhe është duke orientuar zhvillimin e agroturizmit. Familjet e zonës janë mbështetur për nxitjen e turizmit familjar. Në kohën e vjeljes së gështenjave, shumë të pasionuar të turizmit malor kalojnë disa ditë në familjet e Reçit, duke marrë pjesë në vjeljen e frutës dhe në konsumimin e etj. Gjithashtu, zona e Reçit është përfshirë në projektet e Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor, si një projekt strategjik ku Instituti i Kërkimeve Urbane ka bërë një studim të posaçëm për zhvillimin ekonomik të zonës nëpërmjet kultivimit të gështenjës. Në projekt përfshihet përmirësimi i kushteve për mirëmbajtjen e pemëve ekzistuese dhe kultivimin e pemëve të reja dhe gjithashtu ngritja e një fabrike përpunimi.
Në bazë të të dhënave për vitin 2011 dhe 2012 në shkallë vendi, Malësia e Madhe dallon për rendimentin e lartë në pemët frutore, rreth 34-35 kg/rrënjë, i cili është jo vetëm mbi nivelin e mesatares kombëtare prej rreth 23 kg/rrënjë, por dhe ndër më të lartët në vend përkrah Rrethit të Matit dhe Peqinit, përkatësisht 40 kg/rrënjë dhe 31 kg/rrënjë. Masivi shtrihet në një sipërfaqe prej 450 hektarësh, prej të cilave mbi 350 hektarë janë të shfrytëzueshme.
Ky është masivi i dytë, si për nga sipërfaqja, por edhe nga prodhimtaria, pas atij të Tropojës me rreth 2,000 hektarë, i cili është masivi më i madh i Ballkanit. Prodhimi i gështenjave i drejtohet tregut të jashtëm, ku kërkesa është e lartë. Çmimi i shitjes luhatet nga 1 euro/kg deri në 1.2 euro. Duke iu referuar të dhënave të eksportit, për një mesatare prodhimi vjetor prej 438 tonë/vit dhe çmimit mesatar në grumbullim prej 80 lekë/kg, të ardhurat për familjet që merren me këtë biznes në Malësinë e Madhe mund të llogariten afërsisht 3,5 milionë lekë/vit, ndërsa vlera nga eksporti llogaritet në afërsisht 56,9 milionë lekë/vit, thuhet në studimin e Institutit për Kërkime Urbane.
Duke iu referuar të dhënave të shoqatës “Reçi Prodhimtar”, vetëm kjo shoqatë zotëron rreth 200 hektarë nga 450 hektarë të masivit të Reçit dhe gjatë vitit 2014 ka tregtuar rreth 170 tonë, prej të cilave 100 tonë për tregun italian dhe 70 tonë për tregun e brendshëm.
Gjithnjë mbi të njëjtin burim informacioni, administratorët e shoqatës raportojnë se synimi i tyre është që të arrijnë të shfrytëzojnë kapacitetin maksimal të hapësirës që ata zotërojnë, i cili vlerësohet rreth 4000 tonë në vit kundrejt rreth 6000 tonë në vit që vlerësohet si kapaciteti i të gjithë masivit. Duke iu referuar këtyre të dhënave, për një çmim mesatar prej 80 lekë për kg në grumbullim, nga kjo kulturë, në kushtet aktuale, mund të gjenerohen nga 320 milionë lekë/vit deri në 490 milionë lekë në vit; ndërsa vlera në eksport, bazuar në çmimin mesatar aktual prej 130 lekësh për kg mund të arrijë nga 520 milionë lekë ne vit (3.7 milionë euro) në 520 milionë lekë/vit (5,6 milionë euro/vit).
Zgjerimi i kultivimit të gështenjës është i këshillueshëm ndonëse koha e nevojshme për ngritjen e një plantacioni të ri me dru gështenje është disa vjet, për këtë arsye ndikimi në prodhim dhe të ardhura nga shitja do të shtrihet në një periudhë afatgjatë.
Grumbullimi i gështenjave dhe dërgimi i tyre për eksport nuk është një zgjidhje afatgjatë për mbledhësit e kësaj bime në zonën malore të Malësisë së Madhe. Çdo vit, gjetja ose mosgjetja në kohë e një grumbulluesi çon në mundësinë e prishjes së prodhimit, duke ulur të ardhurat dhe duke dekurajuar fermerët e zonës për kultivimin dhe grumbullimin e vitit pasardhës.
Është momenti që ky nënsektor të hyjë në një fazë të re zhvillimi i cili përfshin përpunimin paraprak të produktit. Ky zhvillim është i domosdoshëm pasi ky nënsektor është i prapambetur krahasuar me degë të tjera të ngjashme të industrisë ushqimore si përpunimi i vajit të ullirit, vajit të lulediellit etj., pa folur për një gamë të gjerë të produkteve ushqimore të konservuara. Vënia në përdorim e linjës së përpunimit mund të kërkojë fillimisht prezencën e një ekspertize të huaj për të garantuar edhe certifikimin e produktit. Në të njëjtën kohë mund të trajnohen ekspertë vendas që punojnë në industri të ngjashme.
Ekzistenca e një linje përpunimi dhe përdorimi me eficencë i saj do të çojë në stimulimin e krijimin e pyjeve të reja me gështenja, çka kërkon një periudhë të konsiderueshme kohe për t’u vënë në eficencë (tre deri në katër vjet) por garanton prodhim të vazhdueshëm. Impakti i këtij investimi i kalon kufijtë e Malësisë së Madhe dhe mund të jetë me rëndësi kombëtare në fushën e tij.
Projekti
Cikli i produktit kalon nga grumbulluesit individualë te grumbulluesi lokal për t’u dërguar më pas në gjendje të papërpunuar te grumbullues ndërkombëtarë, posedues ose jo të një industrie përpunimi të gështenjave. Eksporti i tyre ka ardhur në rritje me një treg shumë të pëlqyer në Itali. Në vend nuk ka ndonjë industri të njohur përpunimi të gështenjave dhe prodhimit të produkteve me bazë esencat e nxjerra për industrinë ushqimore. Volumi i destinuar për përdorim familjar është i vogël në raport me prodhimin total.
Një pjesë e prodhimit nuk vilet fare nga pemët si pasojë e mospasjes së një tregu të qartë. Grumbullimi i gështenjave, gjetja e tregut dhe eksportimi duhet të kryhen brenda një periudhe të caktuar dhe shumë të kufizuar, kohë gjatë së cilës fruta ruan vlerat e saj
Me kalimin e kësaj periudhe, frutat rrezikojnë të thahen dhe të humbasin vlerat. Prodhimi i një viti nuk është i marketueshëm në vitin që vjen.
Ekzistojnë teknologji bazë për zierjen dhe konservimin e gështenjave. Futja e frutës në këtë proces përpunimi fillestar redukton rrezikun e kalbjes, dëmtimit nga insekte, humbjes së prodhimit në rast të mosgjetjes së një tregu të menjëhershëm. Në rast të ekzistencës së kësaj industrie, objekti i konkurrueshëm në tregjet ndërkombëtare përveç gështenjës së freskët, do të ishte dhe gështenja e zier dhe e konservuar, produkt i cili i reziston kohës dhe lejon fleksibilitet në gjetjen e tregjeve.
Objektivi i projektit për Zonën Funksionale të Malësisë së Madhe, specifikisht për zonën e Reçit, përfshin financimin e ngritjes së një pike përpunimi të gështenjave, me qëllim ruajtjen e vlerave ushqimore, rritjen e jetëgjatësisë së produktit për përpunim të mëtejshëm në fabrika të specializuara perëndimore, sipas destinacionit përkatës industrial.
Rezultatet e pritshme të projektit janë rritja e industrisë së zonës, reduktimi i prodhimit të shkuar dëm, vende të reja pune në fabrikë, mënyre e re konkurrueshmërie në tregun ndërkombëtar, nxitje për shtim të tokës së pyllëzuar me gështenja, rritje e qëndrueshme e sektorit bujqësor, rritje e të ardhurave për familjet e fermerëve, rritje e punësimit në bujqësi për familjet që shtojnë sasinë e tokës së punuar, rritje e ekspertizës në përpunimin e gështenjave autoktone.