Bota

Blinken: Aneksimi rus i territorit ukrainas është grabitje toke

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së denoncuan të enjten planin rus për aneksimin e katër zonave ukrainase që pritet të zyrtarizohet të premten në Moskë.

Zoti Blinken në Uashington tha se referendumet e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, rezultatet e të cilave po shfrytëzohen nga Moska për të justifikuar aneksimin e territorit ukrainas, ishin një tentativë për grabitje toke që është e paligjshme dhe shkel ligjin ndërkombëtar.

Referendumet e rreme të Kremlinit janë një përpjekje e kotë për të maskuar atë që përbën një përpjekje të mëtejshme për grabitje toke në Ukrainë

“Referendumet e rreme të Kremlinit janë një përpjekje e kotë për të maskuar atë që përbën një përpjekje të mëtejshme për grabitje toke në Ukrainë”, tha zoti Blinken në një deklaratë.

“Për të qenë të qartë: rezultatet u orkestruan në Moskë dhe nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit të Ukrainës”, shtoi më tej ai.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres vlerësoi nëse Rusia vë në jetë planet e saj për aneksim kjo do të shënonte një “përshkallëzim të rrezikshëm” që do të rrezikonte perspektivat për paqen në rajon.

“Çdo vendim për të vazhduar me aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës nuk do të kishte asnjë vlerë ligjore dhe meriton të dënohet,” u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.

Çdo vendim për të vazhduar me aneksimin e rajoneve ukrainase meriton të dënohet” – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së

Presidenti rus Vladimir Putin do të nënshkruajë të premten dokumente që shpallin aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, teksa Moska nxiton të bllokojë avansimet territoriale që ushtria ukrainase po i arrin në fushën e betejës.

Vendimi, një nga hapat ligjorë që Rusia thotë se do të çojë në aneksimin zyrtar të 15% të territorit të Ukrainës, konfirmon se zoti Putin po e vazhdon luftën kundër Ukrainës, pavarësisht se kjo luftë pësoi një ndryshim të madh ushtarak këtë muaj si rezultat i kundërofensivës së forcave ukrainase.

“Vendimi do të zgjasë ndikimet dramatike në ekonominë globale, veçanërisht në vendet në zhvillim, dhe do të pengojë aftësinë tonë për të ofruar ndihma për të shpëtuar jetën në të gjithë Ukrainën dhe më gjerë”, tha më tej zoti Guterres./ Zëri i Amerikës

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button