Blloku i parë rezidencial në Vaqarr, Rama: Sfida e tërmetit, ndërroi cilësisht jetën e 33 mijë familjeve
U dorëzohet blloku i parë rezidencial, familjeve që humbën strehën në tërmetin e 26 nëntorit në Vaqarr. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka marr pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave.
“U dorëzohet blloku i parë rezidencial, familjeve që humbën strehën në tërmetin e 26 Nëntorit, në Vaqarr. Programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi në kthesë transformimi e zonave të prekura më fort. Mirënjohje për Arbërin e “Fundjavë Ndryshe” që na u bashkua duke u solidarizuar me familjet e prekura”, shprehet Rama.
Rama u shpreh se, është kënaqësi që këtë fazë të procesit që është faza e dorëzimit të blloqeve të banimit ta fillojmë këtu në Vaqarr, me këtë bllok të vogël por shumë domethënës dhe mbi të gjitha të ndërtuar me dashuri të madhe me përkushtim dhe me cilësi maksimale.
“Në radhë të parë dua të falenderojë nga zemra Arbrin për jo vetëm për ato që ai bën por dhe për bashkëpunimin, gatishmërinë që t’i bashkojmë forcat në mënyrë që të arrinim të vinim në funksion një plan ku përveç ndërtimit të shtëpive të realizohej projektideja e një lagje e cila nuk ka vetëm strehën për familjet që sot do të hyjnë në këtë shtëpi por ka pranë shkollën 9-vjeçare, shkollën e mesme, qendrën shëndetësore shërbimet administrative duke krijuar një hapësirë kushtesh krejt të reja për të gjitha ata të cilët në 26 nëntorin e dy viteve më parë mbetën pa çati mbi kokë, humbën gjithçka dhe sot jo vetëm kthehen në shtëpi po kthehen në shtëpi shumë më të mira që ato që humbën dhe faktikisht kanë sot më shumë sesa ç’kishin kur i goditi ajo tragjedi e madhe”, tha Rama.
Rama tha se më vjen shumë mirë kur shoh që gjithë kjo përpjekje faktikisht po ndryshon cilësisht jetën e 33 mijë familjeve.
“Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku ka goditur tërmeti i 26 nëntorit i dy viteve më parë që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë ose shtëpinë e kanë parë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi. Falë kësaj përpjekje të madhe janë sot ose në kushte shumë më të mira që ato që kishin sepse për shembull në pallatet ku ka patur dëme të lehta janë bërë ndërhyrje të cilat kanë prekur jo vetëm muret e apartamenteve por dhe mjediset e përbashkëta, fasadën, madje në një pjesë të konsiderueshme të këtyre ndërhyrje prekja e fasadave nuk ka qenë thjeshtë një riparim por një riveshje e plotë duke i dhënë këtyre godinave një parametër eficience energjetike. Që do të thotë duke i bërë ata më të freskëta në verë dhe më të ngrohta në dimër, që sigurisht ul edhe konsumin e energjisë”, tha Rama.
Kryeministri në vijim tha se, nga ana tjetër nëse shohim sot listën e të gjithë atyre që tani kanë hyrë nëpër shtëpi janë mijëra e mijëra që banojnë në shtëpitë e rindërtuara individuale, janë mbi 500 familje vetëm në bashkinë e Tiranës ashtu si kundër janë mijëra të tjerë që banojnë në apartamente plotësisht të rikonstruktuara, e ndërkohë jemi në fazën që fillojmë me blloqet.
“Së shpejti do të hyjnë në shtëpi jo vetëm ata të cilët janë në pritje në Ndroq, Zall-Herr apo pika të tjera në Tiranë tek “5 Maji” do jenë familjet e para që do të hyjnë në lagjen e re që do jetë faktikisht lagjja urbanistikisht më shembullore e Tiranës, pasi aty gjithçka po ndërtohet nga e para dhe kjo do ju jap mundësi të gjithë atyre banorëve që faktikisht janë banorë të një hapësire urbane, e cila ndryshe nga hapësirat e tjera të Tiranës që kanë qenë ndërtuar më parë të kenë një hapësirë me kushte optimale”, tha Rama.
Në vijim Rama shtoi se “po kështu edhe me Kombinatin ku është bërë një punë goxha e mundimshme përsa i përket jo vetëm projektimin por dhe qartësimit të të gjithë elementeve që kanë të bëjnë me qartësimin që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë. Në ditët e ardhshme do të hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit, që është ndërtuar një lagje dhjetëfish më e madhe se kjo dhe ku në vend të një situate urbane të degraduar gjithë ato familje do të kenë një hapësirë urbane shembullore. Në Fushë-Krujë, më tutje në Thumanë, në Laç ku është ndërtuar një lagje e madhe shembullore dhe ku vazhdon ndërtimi në pjesët e tjera të qytetit. Faktikisht, Laçi sot falë përpjekjes për ta kthyer krizën në një mundësi për të gjithë bëhet një qytet nga e para. Në Lezhë ku ka një bllok të tërë banim ku është drejt përfundimit, apo në zonën e Kavajës, apo deri tutje në Mirditë pranë Rrëshenit ku është një tjetër lagje që është drejtë përfundimit”.
“Lart në Krujë sapo ka nisur puna për shkak edhe të gjitha vështirësive që paraqiste terreni, apo në Durrës ku ka qenë edhe goditja më e madhe ka mbaruar puna për riparimet e thella të një numri të konsiderueshëm pallatesh. Ka filluar puna për pallatet që janë me dëmet më të rënda, ka filluar prej disa kohësh por bëhet fjalë për projekte të cilat kanë kërkuar një kohë më të gjatë. Ndërkohë që ka filluar puna për lagjen e re në zonën e Spitallës, e cila do jetë një tjetër shembull i transformimit të jashtëzakonshëm të jetës së atyre familjeve që do banojë aty. E pra të gjitha këto janë momente kurorëzimi të një përpjekje e cila ka zgjatur dy vjet dhe ndërkohë është mirë ta mbajmë parasysh se në këto dy vjet jeta e vendit nuk ka qenë e lehtë”, tha Rama.
Rama theksoi se asnjë familje që ka qenë e detyruar të largohet nga shtëpia nuk është lënë vetëm por kanë marrë bonusin e qirasë.
“Është me rëndësi të mos harrohet asnjë familje që kanë qenë e detyruar të lëviz nga shtëpitë ose kanë humbur shtëpinë nuk është lënë vetëm por është mbështetur me bonusin e qirasë dhënë nga qeveria. Ndërkohë që procesi ka qenë i ngatërruar më titujt e pronësisë dhe ne jemi përpjekur që procesi të jetë i drejtë për të gjithë si dhe për garantuar se të gjithë ata që largohen nga vendbanimet e mëparshme të marrin tituj pronësie të padiskutueshëm. Ashtu si kundër janë rindërtuar një pjesë e konsiderueshme e shkollave dhe sot të gjithë fëmijët e zonave më të goditura kanë shkolla që janë më të mira se shkollat në qendrat e zonave urbane dhe e gjithë kjo ka qenë e mundur falë angazhimit të qeverisë dhe të buxhetit të shteti”, theksoi Rama.
Rama tha se, “të gjitha ndërtimet janë bërë nga buxheti i shtetit apo kontribute si i Arbrit këtu në Vaqarr, apo kontributi Shqiptarët për Shqiptarët në Thumanë, apo kontributi i Bexhet Pacollit për një nga godinat atje dhe nuk ka këtu para të botës. Ndërkohë pjesa tjetër e ndërtimit të shkollave është me fondet e BE dhe është me fondeve të mive të vendit tonë, blloku i parë i Laçit që është ndërtuar nga qeveria e Turqisë dhe blloku që ka nis të ndërtohet në Spitallë me kontributin e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara”.
“Të gjitha fondet e vënë në dispozicion nga të tretët, qoftë fondet për dy lagje që përmenda, qoftë për shkollat nga BE, apo shkollat që kanë kontribut shtete të ndryshme nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptarë, asnjë qindarkë. Parat e botës, bota i shpenzon vetë. Janë fonde që ata i administrojnë vetë me tendera dhe kontrata dhe në fund dorëzojnë produktin”, tha Rama
Rama u shpreh se, e rëndësishme është se ne arritëm të bënim diçka që askush nuk mund ta bënte.
“Kur u gjendem me 15 mijë familje pa çati dhe me mijëra e mijëra familje të terrorizuara nga muret e krisura dhe sot për 33 mijë familjet që u prekën nga tërmetin kanë një kapital dhe aset më shumë se çfarë kishin përpara se të goditeshin nga tërmeti. Kjo është dhe arsyeja për t’u ndjerë mirë sepse jo vetëm nuk u gjunjëzuam nga goditja por po bëjmë çdo ditë të mundur, që ata që u goditën të ngrihen më të fortë dhe këto shtëpi kanë një vlerë më të madhe për fëmijët e tyre, theksoi Rama.
Në fund Rama bëri apel për ata që deri më tani nuk kanë hyrë në shtëpi të bëjnë durim.
“Durim për ata që nuk kanë hyrë deri më sot në shtëpinë e re por deri ditën kur të hyjnë ata do të mbështeten nga ne për të qëndruar me qira”, tha ai.
Lagjja e re në Vaqarr për familjet e prekura nga tërmeti, u ndërtua me kontributin e përbashkët të qeverisë shqiptare, për infrastrukturën, qendrën komunitare, shkollën e njësinë administrative dhe Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, që ka investuar dhurimet e qytetarëve për familjet e prekura nga tërmeti, në 20 shtëpi të reja.
Nga ana e bashkisë së Tiranës është ndërtuar komplet infrastruktura e kësaj lagjeje.
Lagjes më të re në kryeqytet, që është vetëm 1.5 km larg nga Kombinati, do t’i mundësohet edhe transporti publik, duke shtuar një stacion për linjën e Kombinatit si dhe lehtësira të tjera për fëmijët dhe të rriturit që jetojnë aty.