Kryeartikull

Problemi nuk qëndron tek besimi

Atentatet brutale të terroristëve islamistë në Francë kanë shokuar Europën. Këtu nuk diskreditohet vetëm islami, por edhe besimi në zot. Felix Steiner në komentin e tij e ngre zërin kundër këtij diskreditimi.

atentate

Koha për të bërë një pohim: Unë jam i krishterë katolik. Jam me dëshirë i tillë. Besimi më jep forcë dhe ndjenjën pozitive se jam më shumë se thjesht një trill i natyrës, më shumë se një rastësi biologjike dhe nuk kam ardhur nga hiçi dhe nuk do të përfundoj në hiç. Unë jam shembëlltyra e zotit, të cilin hebrenjtë e quajnë Jahve dhe myslimanët Allah.

Kjo ndodhet tek gjeneza, e shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për të krishterët. Unë kam – si gjithë të tjerët – dinjitet. Një dinjitet që është i paprekshëm. Dhe që ai duhet respektuar dhe mbrojtur, – ky është detyrimi i çdo shteti. Nuk është e rastësishme, por qëndron si fjalia e parë në nenin e parë të kushtetutës gjermane.

Shteti mbron besimin tim

Kush nuk e kërkon mbështetjen tek besimi – ju lutem, e ka rrugën të hapur. Shoqëritë e lira të perëndimit nuk e detyrojnë askënd të besojë diçka të caktuar, as të besojë. Por megjithëse shtetit nuk i intereson natyra e besimit tënd, ai është në anën e të gjithë atyre që besojnë: Sepse ai garanton “ushtrimin e pashqetësuar të besimit”. Edhe kjo qëndron shumë lart në kushtetutë. Për këtë arsye unë nuk jam i detyruar ta pranoj për shembull që nëse gjatë një meshe krishtlindjesh një grua e re kërcen lakuriq në altarin e katedrales së Köln-it dhe thërret “Unë jam zoti”. Por unë gëzohem për shembull që ajo para gjykatës merr një gjobë të majme.

Felix Steiner
Felix Steiner

 

Gjëra të tjera më duhet t’i pranoj. Edhe pse më zemërojnë pa masë. Kur baltosen ato që për mua janë të rëndësishme, të shenjta. Për shembull kur krishti i kryqëzuar përshkruhet pa respekt si budalla i kryqëzuar në dërrasa. Apo kur Papa si kreu i kishës katolike paraqitet me një njollë urine në veshjen papnore dhe mbishkrimi thotë: “U gjend vrima nga ku rrjedh në Vatikan.”

Asnjë kabaretist apo karikaturist i ndonjë reviste satirike nuk është futur për këtë në Gjermani në burg. Sepse provokime të tille futen në kuadrin e lirisë së shprehjes, së artit dhe shtypit. Dhe unë si i krishterë besimtar nuk kam pse të merrem me ta: Unë nuk shkoj të shikoj kabare të tilla, ose mund të largohem nga ato. Nuk kam pse t’i lexoj ose t’i blej revista të tilla. Si një i krishterë i shkolluar unë e ngushëlloj veten me citatin e Goethes: “Me asgjë tjetër nuk e tregojnë më shumë karakterin njerëzit, se sa me gjërat që i vlerësojnë si qesëndisëse.”

E gjitha kjo është trashëgimi e asaj epoke që historianët e quajnë “iluminizëm”. E thënë thjesht bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe: Unë fitoj lirinë për të besuar çfarë dua – dhe për këtë pranoj lirinë e të tjerëve të thonë atë që duan. Apo më shkurt: Të drejtat e mira për tolerim të atyre që mendojnë ndryshe. Vetëm personalisht nuk lejohet të më fyejë askush.

Streha e zotit – si kisha, sinagoha apo xhamia e tempulli budist janë hapësira të mbrojtura. Që prej 300 vitesh Europa dhe Amerika veriore kanë një përvojë të mrekullueshme me këtë parim.

Jo lëshime me tolerancën

“Perëndimi me përvojën iluministe nuk mund dhe nuk lejohet të bëjë këtu lëshime. Kush pra do të jetojë këtu duhet të pranojë këto rregulla. Ky nuk është shtrëngim – edhe pse kjo disa të krishterëve radikalë apo myslimanëve radikalë mund t’u duket si e tillë. Dhe kush përdor dhunën për të realizuar qëllime fetare apo kundërshtarë të besimit të vet, braktis në vitin 2015 çdo lloj platforme civilizimi. Kështu nuk mendojnë vetëm të krishterët e Europës, por më shumë se nëntë nga dhjetë myslimanë që jetojnë në Gjermani. Ata që e kanë kuptuar prej kohësh, se rregullat që janë të vlefshme në shumë vende myslimane, do t’ua bënin të pamundur praktimin e fesë së tyre në Europë. Dhe ata që e kanë mësuar ta vlerësojnë tolerancën europiane.

Ajo që i lëndon myslimanët besimtarë, ashtu si edhe mua: kur aktet brutale nga disa të çmendur radikalë hedhin hije të errëta mbi një fe të gjithë dhe një besim. Kur këto ditë pretendohet se një botë pa besim në zot do të ishte një botë më e mirë. Sepse besimi gjithsesi përfundon në radikalizim. Jo! Unë mbrohem kundër kësaj! Besimi im është diçka shumë e vlefshme për mua, dhe unë nuk dua të ma marrin këtë. Meqë ra fjala, fqinji im mysliman ka të njëjtin mendim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button