Politika

Boçi: Rama përgjegjës për përmbytjet, zhduku miliona dollarë të kanalizimeve‏

Nëpërmjet deputetit Luçiano Boçi, Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjës të përmbytjeve.  Sipas opozitës, Kryeministri, fondet për kanalizimet i ka dhënë si dhuratë për miqtë e klientët e tij dhe për shpenzime luksoze.

“Pas çdo toke të përmbytur, pas çdo prodhimi të çuar dëm, pas çdo shtëpie e pasurie të mbuluar nga uji, qëndron papërgjegjshmëria dhe politika korruptive e Edi Ramës. Me dorën e tij, Edi Rama ka hequr çdo vit miliona dollarë fonde të destinuara për kanalizimet, për t’i dërguar si pako dhurata për miqtë e klientët e tij, për luksin e tij dhe shpenzimet qeveritare. Çdo banor i Bregut të Matit, i Torovicës, i Ishmit, i Sukthit, i Shijakut, i Çermës, çdo banor i Rrogozhinës, fshatrave të Elbasanit, të Lushnjës, Fierit, Dibrës, çdo i përmbytur këto ditë nga Veriu në Jug, duhet ta dijë se fatkeqësia natyrore nuk do të ishte kaq dramatike nëse nuk do të ekzistonte fatkeqësia tjetër më e rëndë, që quhet Edi Rama.

Asnjë punim në kanalizime nuk është bërë, edhe pse përvoja e afërt tregon se shirat sjellin përmbytje, edhe pse dihet se sezoni i reshjeve ishte në prag. Fondet për këto punime të domosdoshme në infrastrukturë janë dërguar nga Edi Rama në drejtim të interesave të tij klienteliste. Sapo erdhi në pushtet, Edi Rama hoqi 2.5 milionë dollarë për kanalizimet, ose 30% të gjithë fondit. Në shtator të vitit 2014, pikërisht para sezonit të reshjeve, Edi Rama hoqi 4.9 milionë dollarë për kanalizimet, ose e shkurtoi fondin me 40%. Në fund të vitit që kaloi, zhduku sërish 4.2 milionë dollarë që ishin të destinuara për kanalizimet.

Ndërkohë që në fushatë, Edi Rama premtoi se asnjë pëllëmbë toke nuk do të përmbytej më dhe tha se do të investonte 160 milionë dollarë për kanalizimet. Me të gjitha aktet e tij, ka treguar se është bashkautor i përmbytjeve dramatike. Dhe është shfaqur gjithnjë pasi ka dalë dielli, ose pasi është kthyer prej pushimeve luksoze. Kjo arrogancë e kjo pacipësi, kjo shpërfillje e poshtërim i shqiptarëve nuk thahet dot dhe nuk mbulohet dot, ajo meriton e do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët”, tha Boçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button