Boks, shtyhet për një datë të pacaktuar sfida Uldedaj- Caparello
Boksieri i njohur shqiptar Jurgen Uldedaj njofton se ndeshja kundër ish-kampionit të botës Blake Caparello e vlefshme për mbrojtjen e titullit Kampion Bote IBO, planifikuar për më 23 tetor në Tiranë do të shtyhet për një datë tjetër. Ky vendim vjen për shkak të një dëmtimi në stërvitje, por edhe për shkak të situatës së pazakontë në të cilën ndodhet kryeqyteti.
“Të dashur miq dhe sportdashës,
Me keqardhje ju njoftoj se ndeshja ime për mbrojtjen e titullit Kampion Bote IBO, e planifikuar për më 23 tetor në Tiranë, kundër ish-kampionit të botës Blake Caparello, do të shtyhet për një datë tjetër.
Gjatë përgatitjeve kam pësuar një dëmtim në stërvitje (sparring), nga i cili pritet të rikuperohem shumë shpejt. Duke marrë parasysh këtë dëmtim, si dhe situatën e pazakontë që po kalon Tirana, në bashkëpunim me organizatorët dhe IBO-n, është marrë vendimi për shtyrjen e eventit.
Të mbroj titullin botëror në vendin tim, përpara publikut shqiptar, është një ëndërr dhe një moment që e kam pritur prej shumë kohësh. Dua që kjo përballje historike të zhvillohet në kushtet më të mira, ashtu siç e meriton çdo shqiptar.
Dua t’ju siguroj se ndeshja nuk është anuluar, por vetëm shtyrë. Shumë shpejt do të njoftoheni për datën e re të ndeshjes, e cila do të zhvillohet brenda këtij viti, në Tiranë. Të gjithë ata që kanë blerë bileta do të informohen gjithashtu për detajet përkatëse.
Falënderoj nga zemra të gjithë tifozët, sponsorët, partnerët, institucionet dhe organizatorët për mbështetjen dhe mirëkuptimin. Më vjen keq për të gjithë ata që kishin planifikuar të ishin të pranishëm më 23 tetor.
Rikthimi im në ring, përpara jush, do të duhet të presë edhe pak. Por një gjë është e sigurt: dua ta mbroj titullin botëror në shtëpinë time, përpara shqiptarëve!”, shkruan boksieri i njohur shqiptar në njoftimin e postuar në rrjetet sociale.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.