Ekonomia

Borxhi i konsumatorëve ndaj OSHEE-së, 39 miliardë lekë

Arrin në vlerën 39 miliardë lekë borxhi që konsumatorët i detyrohen OSHEE-së për mospagesat e faturave të energjisë elektrike ndër vite.

Për këtë arsye, shtyrja me 2 muaj deri në 15 korrik të skemës lehtёsuese tё shlyerjes sё borxheve tё prapambetura nga OSHEE, përfshin vetёm detyrimet e krijuara deri mё 31 dhjetor tё vitit 2014, thonë burimet e operatorit të shpërndarjes së energjisë.

Këto detyrime përfshijnë konsumatorë familjarë, që janë debitorë për detyrimet e energjisë dhe që duhet të paguajnë si detyrimin bazë bashkë me kamatë-vonesat, pasi fatura e energjisë përbën titull ekzekutiv. Për këtë arsye, borxhlinjve me skemën e re u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të detyrimit ndaj OSHEE-së.

Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, OSHEE nuk do të llogarisë kamatë-vonesat për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

OSHEE do të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve, të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse për një pjesë të detyrimit të prapambetur, ku vlera mujore nuk do të jetë më e vogël se 2.500 lek/muaj.

Përjashtim do të bëjnë familjet e përfshira në ndihmën ekonomike, ku vlera e këstit mujor gjithsesi nuk do të jetë më e vogël se 1.000 lek/muaj. Nëse konsumatorët familjarë debitorë shlyejnë menjëherë gjithë detyrimin e prapambetur, për ta OSHEE do të aplikojë zbritjen me 80% të vlerës së detyrimit të kamatë-vonesave.

Skema për lehtësimin e pagesave për konsumatorët familjarë që kanë detyrime të prapambetura ngaj OSHEE-së nisi vjeshtën e kaluar dhe deri në 31 mars, kur mbaroi afati, përfituan 300 mijë konsumatorë në gjithë vendin.

“Shteti po bën një qasje shumë racionale, po e shtrin borxhin e akumuluar në kohë, por nuk po e fal atë. Po u jepet kështu mundësi të gjithë qytetarëve që ta shlyejnë borxhin që nuk është i shtetit, por borxh që ata i kanë kompanisë”, është shprehur së fundi ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button